Ditën e sotme, një ngjarje e rëndë i regjistrua në Maliq, ku një banesë u përfshi nga zjarri, duke i marrë jetën një nëne dhe djalit të saj adoleshent.
Viktimat janë 40-vjeçarja Merjeme Azizllari dhe djali i saj 14-vjeç, Luka Azizllari, ndërsa vajza 6-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Fqinja e familjes, Benereta Pashollari, në një prononcim për mediat, rrëfen momentet tragjike dhe jep detaje tronditëse mbi ngjarjen.
Raportohet se kryefamiljari i banesës së djegur në Maliq nuk ndodhej në shtëpi për arsye se ishte në punë, dhe sipas saj , është marrë në pyetje nga efektivët e policisë.
Sipas deklaratës së një fqinje e cila ishte dëshmitare në këtë ngjarje, deklaroi se vajza ka arritur të shpëtojë për shkak se u hodh nga dritarja e banesës në momentin e zjarrit.
Kurse nëna dhe djali u bllokuan brenda banesës. Ajo tha se zjarri mund të ketë ardhur për shkak të djegies të një materiali sfungjeri, që ata e përdornin si krevat.
“Familje punëtorë, ishin me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët, i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj plus që merrnin dhe ushqime dhe ndihmë ekonomike. Vajza ishte më e vogël se djali, djali në këmbë, vajza nuk lëvizte dhe aq. Nëna nuk kujdesej shumë për fëmijët. Ne të lagjes i flisnim, i thoshim “laji, shpëlaji”. E ndihmonim, çdo gjë i çonim.
Si binte në qafë askujt. Të dy fëmijët ishin autikë.
Unë për momentin nuk isha por aty ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerit dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin. Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në tel për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur”, tha fqinja e dy viktimave, Benereta Pashollari.