Presidenti rus Vladimir Putin, ka kërkuar kontrollin e rajoneve lindore të Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, gjatë një takimi të mbajtur me presidentin amerikan Donald Trump në Alaska, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Mësohet se Putin ka shprehur gatishmërinë për të hequr dorë nga territore të tjera të pushtuara nga trupat ruse në Ukrainë, në këmbim të njohjes ndërkombëtare të kontrollit mbi Donetskun dhe Luhanskun – dy provinca lindore që ndodhen pjesërisht nën kontrollin e forcave ruse që nga viti 2014.
Në vijim të bisedimeve, Trump ka planifikuar një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Uashington, të hënën.
Ai ka lënë të hapur mundësinë për një samit trepalësh midis tij, Putin-it dhe Zelenskyy-t, për të avancuar drejt një marrëveshjeje paqeje.
Ndërkohë që disa media sugjerojnë se Trump mbështet një marrëveshje të tillë, Zelensky ka deklaruar më parë se nuk do të pranojë asnjë dorëzim formal territori ndaj Moskës.
Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të provincës Donetsk.
Takimi në Alaska, megjithëse i profilit të lartë, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete ose shpallje për një armëpushim.