Detaje nga Maqedonia e Veriut: Të plagosurit në luftë për jetën

Në orët e vona të natës së dielës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, të paktën 59 persona kanë vdekur, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, ndërkohë që 155 të tjerë mbetën të plagosur.

Diskoteka ku dhe 1500 të rinj ishin duke festuar u përfshi nga flakët papritur. Shkak deri më tani, dyshohet të jenë bërë mjetet piroteknike të vendosura në skenë, të cilat sollën zjarrin e frikshëm i cili u përhap me shpejtësi në të gjithë tavanin.

Si pasojë humbën jetën 59 të rinj përkatësisht të moshave nga 14 deri në 25-vjeç, ndërkohë që të plagosur me rreth 70% djegie në trup mbetën mbi 100 të tjerë.

Sipas asaj që mediat vendase raportojnë sot, mësohet se të rinjtë të cilët u transportuan në Bullgari, Serbi, Turqi e Greqi, për ndihmë më të specializuar mjekësore ndodhen në gjendje kritike.

Ka qenë drejtori i spitalit “Pirogoc” në Bullgari ai i cili ka bërë me dije se 8 pacientët, mes tyre 3 adoleshentë nën 18-vjeç dhe 5 të rinj me moshë mesatare 20-25-vjeç, ndodhen në gjendje të rëndë për jetën.

“Të gjithë janë në gjendje kritike, përveç një fëmije që ndodhet në kujdesin intensiv pediatrik. Të tjerët janë në kujdes intensiv në klinikën e djegieve, në repartin për fëmijë dhe për të rritur. Tre prej tyre janë të intubuar”, ka thënë Valentin Dimitrov.

Ndërkohë ,në rrjet janë publikuar edhe pamjet nga diskoteka pak para se të ndodhte tragjedia. Siç shihet dhe në videon të rinjtë shfaqen të gëzuar, duke pritur që në skenë për të performuar grupi DNA.


Shtuar 17.03.2025 12:16