DETAJE/ Mes 5 viktimave të aksidentit në Qafë Muzinë edhe dy ukrainas

Policia bën me dije se mes 5 personave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Qafë Muzinë janë edhe dy ukrainas të moshës 48 dhe 53 vjeç.

Aksidenti ndodhi sot pasdite, ku mjeti tip “Land Rover” është përplasur me furgonin, i cili ka rënë në greminë dhe për pasojë kanë humbur jetën shoferi dhe 4 pasagjerë.

Deri më tani janë identifikuar tre nga viktimat e aksidentit. Bëhet fjalë për shoferin Bardhi Prodo, 51 vjeç dhe një çift të moshuarish Fiqiri dhe Drita Korçari, përkatësisht 77 dhe 72 vjeç, të cilët ishin pasagjerë. Ndërsa identiteti i ukrainasve nuk dihet ende.

Kujtojmë se aksidenti tragjik ndodhi sot pasdite, ku drejtuesi i furgonit duke u përpjekur të shmangë “Land Roverin” e drejtuar nga 22-vjeçarja Rexhina Çelhaka ka rënë në greminë.

Nga aksidenti kanë mbetur të lënduara dhe tre vajzat që ndodheshin në Land Rover, G. D., 25 vjeçe, banuese në Tiranë, A. K., 23 vjeçe dhe G. P., 22 vjeçe, banuese në Itali.

Njoftimi i policisë:

Informacion shtesë.

Informacion shtesë mbi aksidentin e ndodhur në rugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, ku në vendin e quajtur Muzinë, mjeti tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç., 22 vjeçe, banuese në Tiranë, është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P., 51 vjeç  banues në Sarandë.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i furgonit shtetasi B. P., pasagjerët F. K., 77 vjeç, banues në Tiranë, D. K., 72 vjeçe, banuese në Tiranë,

T. F., 48 vjeçe, banuese në Ukrahinë dhe O. F., 53 vjeç, banues në Ukrahinë.

Gjithashtu kanë mbetur të dëmtuara shtetaset G. D., 25 vjeçe, banuese në Tiranë(pasagjere në mjetin tip furgon), R. Ç.(drejtuese Land Rover), A. K., 23 vjeçe dhe G. P., 22 vjeçe, banuese në Itali(pasagjere në Land Rover).

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.


Shtuar 26.08.2021 20:11