Një argjendari në Kamzë ra pre e grabitjes dy ditë më parë, 28 nëntor. Grupi hetimor ka bërë këqyrjen e kamerave edhe të disa ditëve më parë për të parë nëse ka qarkulluar automjeti BMW x6, që u përdor gjatë grabitjes. Nga hetimet nuk rezulton që ky automjet të jetë parë në zonën e Kamzës të paktën në ditët e fundit çka ngre dyshimet se autorët të kenë vëzhguar argjendarinë me një automjet tjetër ose në këmbë.
Për sa i përket itinerarit, makina e 4 grabitësve ka ardhur nga zona e Valiasit, në një rrugë që të lidh me aeroportin e Rinasit. Ka bërë rrethrrotullimin tek kryqëzimi i rrugës Donald Trump, ndërsa më pas është ndaluar tek argjendaria ku edhe u krye grabitja.
Nga Policia, besohet se autorët e kanë pasur të qartë planin e tyre pasi kanë vepruar me përpikëri duke mos lënë asnjë gjurmë. Edhe në bizhuteritë që autorëve u kanë rënë gjatë largimit nuk janë gjetur prova për shkak se ata kanë qenë me doreza.
Gjithashtu hetuesit, kanë vënë re se veshja e grabitësve ka qenë me rroba tejet të trasha çka dyshohet se është bërë qëllimisht për të fshehur peshën reale të trupit të tyre. Kanë qenë te maskuar edhe me maskë farmacie.
Grupi hetimor, nuk përjashton mundësinë që grabitësit të kenë kryer të tilla krime edhe më herët, kjo për shkak të lëvizjeve që kanë kryer dhe qetësisë së treguar në një grabitje brenda 20-30 sekondash.
Autorët janë larguar nga Laknasi ndërsa gjurmët i kanë humbur në afërsi te Rinasit ku kamerat nuk i kanë fiksuar duke përfituar nga errësira./albeu.com