Një plagosje me armë ka ndodhur pasditen e djeshme, te pedonalja e qyteti të Pogradecit, në zonën rezidenciale ku ndodhen hotelet e qytetit.
Për pasojë mbeti i plagosur 23-vjeçari Joan Muçollari.
Si ndodhi ngjarja?
Muçollari u paraqit vetë në spitalin e Pogradecit pasditen e djeshme me plagë plumbi në këmbë dhe me një tjetër plagë në kokë, të shkaktuar nga goditje me thikë. Pas marrjes së ndihmës së parë, I riu u dërgua drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Sipas policisë, autorët e dyshuar të krimit janë Firdeus Berberi dhe Greis Maxhari. Fillimisht të rinjtë kishin debatuar me fjalë mes tyre, por konflikti degradoi në sherr me grushte dhe në përdorimin e thikës. Më pas dyshohet se 20 vjetari Firdeus Berberi qëlloi me armë drejt Muçllarit. Policia gjeti në vendngjarje një gëzhojë pistolete.
Policia arreston 5 persona si përkrahës të autorëve
Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, të shtetasve:
Fatjon Bono, 32 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec; Kristian Kresto, 26 vjeç; Hekuran Gjona, 22 vjeç; Ladion Shkullku, 27 vjeç; Rudi Shaho, 28 vjeç, banues në Pogradec.
Nga provat e grumbulluara rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me automjete dhe me veprime aktive, dyshohet se kanë ndihmuar autorët e dyshuar të ngjarjes, që të largohen nga vendngjarja.
Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua automjeti tip “Volkswagen Golf”, në përdorim të shtetasit F. B., i cili është përdorur në ngjarje, si edhe automjetet tip “Benz” dhe “BMË X5”, me të cilët janë ndihmuar shtetasit F. B. dhe G. M., për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Autorët në arrati
Nga ana e Policisë po vijon puna intensive për kapjen e 2 autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve Firdeus Berberi dhe Greis Muçollari, të cilët janë shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Kush është Firdeus Berberi, që qëlloi me armë
Firdeus Berberi është djali i Ilir Berberit, i cili u akuzua dy vite më parë për sulm me armë ne hotel “Voloreka” në pronësi të babait të Joanit, Jetmir Muçllarit, por që tashmë kjo akuzë ka rënë.
Ilir Berberi nuk është më i akuzuar për ngjarjen tek Hotel Voloreka. Ai është dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje, pasi në kohën që u arrestua I fshehur në një çadër në pyllin e Vërdovës ju gjet dhe një pistoletë.
Për ngjarjen e 8 gushtit 2020 veç Ilir Berberit u arrestuan Ilir Meçolli, Ardian Xhuti, Elvir Haxhia dhe Mariglen Topuzi. Në fillim të vitit 2020 Mariglen Topuzi u akuzua për djegien e makinës së Joan Muçllarit.
Në shkurt u mbajt dhe seanca gjyqësore në Gjykatën e Pogradecit dhe dyshohet se Ilir Berberi bashkë me djalin e tij, Firdeusin, Medar Berberin dhe Xhuljano Topuzi, vëllain e Mariglen Topuzi kërcënuan dëshmitarin Jetmir Muçllari, të atin e Joanit, i cili do dëshmonte kundër Mariglen Topuzit.
Policia arrestoi Ilir Berberin, Firdeus Berberin, Meard Berberin dhe Xhuljano Topuzin për akuzën e “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer në bashkëpunim, “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo shërbim publik” e kryer në bashkëpunim dhe “Kanosjes për të mos dëshmuar” e kryer në bashkëpunim.
Aso kohe Gjykata e Pogradecit caktoi masën e arrestit në burg për Xhuljano Topuzin dhe arrest shtëpie për Firdeus Berberin. Ndërsa u lanë të lirë Meard Berberi dhe Ilir Berberi./albeu.com