Behar Bajri, bashkëpunëtori dhe miku i Ervis Martinajt u arrestua ditën e djeshme në Francë.
Mësohet se ai u vu në pranga pasi u mbajt dy javë nën vëzhgim nga pala shqiptare, e cila më pas ka njoftuar autoritetet franceze.
43-vjeçari në momentin e arrestimit ndodhej i vetëm në një lokal në Paris.
Ai nuk ka bërë rezistencë ndaj oficerëve të policisë në momentin e ndërhyrjes dhe nuk iu gjet asnjë send i jashtëligjshëm.
Tashmë, autoritetet e të dyja vendeve kanë nisur procedurat për ta ekstraduar në vendin Shqipëri.
Kush është Behar Bajri
Bajri ishte shpallur në kërkim si pjesë e dosjes “Metamorfoza”.
Hetimet nisën në 2019-ën pasi autoritetet belge dhe holandeze siguruan komunikime në rrjetin “Enchro Chat” dhe “SKY”. Nga hetimet rezultoi se biznesmeni Pëllumb Gjoka, tashmë i arrestuar, ka kërkuar nga Behar Bajri që të kryente vrasjen e Kleanthi Musabelli një ish-punonjës i policisë së burgjeve.
Në dosje u zbulua gjithashtu se si Bajri kishte bashkëpunuar edhe me Ervis Martinajn.
Referuar dosjes hetimore, Behar Bajri dhe Denis Borrici ekzekutuan Gjin Boriçin me porosi të Martinajt, dhe ky i fundit do të eliminonte Kleanth Musabelliun vrasje e cila nuk u realizua pasi shënjestra kuptoi planin.
Si pjesë e kësaj dosje u arrestuan edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish prokurori i Kukësit Xhevahir Lita dhe kreu i Forcave Operacionale, Oltion Bitri. Ndërsa u zbardhën vrasje e tentativa vrasjesh në Shkodër e Tiranë.
Behar Bajri është një emër shumë i njohur i botës së krimit për drejtësinë shqiptare. Ai u lirua nga burgu në vitin 2020 nga drejtësia shqiptare, pasi ishte ekstraduar nga Belgjika, ku ishte arrestuar në vitin 2019-të.