Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në fshatin Suk1 të Roskovecit, ku 48-vjeçari Florenc Cjapi i dha fund jetës së tij brenda në banesë duke u vetëqëlluar me armë zjarri. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të borxheve që viktima kishte, si pasojë e dështimit të prodhimit në serat që kishte investuar pranë banesës.
Në afërsi të banesës, ku jetonte me të shoqen, të kthyer disa vite më parë nga Italia, shihen dhjetra sera që këtë vit nuk kanë pasur prodhimin që do t’i mundësonte shlyerjen e kredisë. Lajmi i borxheve për investimin në sera konfirmohet dhe nga banorët e fshatit, të cilët janë të tronditur nga ngjarja.
Ata thotë se Cjapi ka qenë një person shumë i sjellshëm me ta, por prej disa kohësh kurohej nga depresioni, si pasojë e kushteve ekonomike. Këtë vit prodhimet që ai kishte prodhuar në sera janë shitur nën kosto, duke shtuar borxhet, ndërkohë që i duhej të shlyente dhe kredinë.
“Ai ka marrë kredi jo me lekët e tij, nuk e dimë si e ka pasur punën, por ishte njeri shumë i sjellshëm me shoqërinë dhe miqësinë. Ne dëgjuam të qarat e bashkëshortes së tij”, shprehet një prej banoreve të fshatit.