Dështon tenderi, nxënësit pa shkollë në Kukës/ 10 fëmijë mbeten në shtëpi për mungesë transporti

Fshatit Kolosh në Zapot të Kukësit i kanë mbetur vetëm 10 fëmijë.

Por edhe ata nuk shkojnë dot në shkollë, sepse mungon transporti. Janë gati dy javë që prej nisjes së vitit të ri shkollor, dhe nxënësit ende nuk janë ulur në bankat e klasës.
Shkolla ndodhet rreth dy orë larg në këmbë, nëpër një rrugë të amortizuar, të pa asfaltuar dhe të rrezikshme, veçanërisht për fëmijët e vegjël.

Nga dështimi i procedurës së tenderit për këtë vit, Zyra Vendore Arsimore Kukës u ofron prindërve një pagesë prej 120 lekësh në muaj për çdo nxënës. Por, sipas prindërve, asnjë operator privat nuk pranon të kalojë në rrugët e amortizuara me këtë çmim.
Në mungesë të një zgjidhjeje, prindërit janë ngritur në protestë, duke kërkuar nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (DRAP) Lezhë dhe institucionet përgjegjëse që të sigurojnë transportin për fëmijët.
Kjo situatë nuk është e izoluar, por një problem që preket në shumicën e fshatrave rurale të Kukësit, ku infrastruktura e keqe dhe mungesa e transportit i mbajnë fëmijët larg arsimit.


Shtuar 21.09.2025 15:38