Dështon për herë të 17 konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ja kur mbahet seanca e radhës

Për të 17-tën herë në Kuvendin e Kosovës, edhe sot ka dështuar konstituimi i përbërjes parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.

Në fillim të seancës, kryesuesi Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi konsultim me përfaqësues të partive politike.

Pas fundit të seancës, kryesuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, thanë se kërkesa e LVV-së ishte që vazhdimet e seancave të mos bëheshin çdo 48 orë, ashtu si e kërkon rregullorja e Kuvendit, por një herë në javë.

Pasi u konstatua se në seancë janë të pranishëm 99 nga gjithsej 120 deputetë, seanca ndoqi të njëjtin skenar si ato parapraket.

 

Dehari kërkoi nga partitë politike të propozojnë nga një përfaqësues për mbarëvajtjen e votimit të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin e ri.

Sërish, PDK, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan ta propozonin një përfaqësues.

Kjo bëri që Dehari ta ndërpresë seancën, e cila u tha se do të vazhdojë më 19 maj, në 10:30.


Shtuar 17.05.2025 11:32