Dështimi i dytë për konstituimin e Kuvendit, analistët paralajmërojnë skenarin e bllokimit total

Për herë të dytë radhazi ka dështuar tentativa për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e futur kështu vendin në një krizë politike gjithnjë e më të thellë.

Seanca e thirrur për këtë qëllim u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari (LVV), pa arritur të hidhet në votim as raporti i Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve.

Sipas Deharit, pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive, ishte e qartë se qëndrimet e tyre nuk kishin ndryshuar, andaj seanca do të vazhdojë më 19 prill në orën 12:00.

Ky dështim ka shkaktuar reagime të ashpra në skenën politike. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi situatën si një “bllokadë të qëllimshme”, ndërsa lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po “ble kohë” sepse nuk i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Pavarësisht këtyre akuzave, deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, deklaroi se subjekti i saj ka numrat e nevojshëm, edhe pse nuk u arrit të votohej as rendi i ditës.

Avokati Shkelzen Sopjani, në emisionin FIVE të Dukagjinit, tha se vendi ndodhet në një situatë “të paprecedentë”, ku jo vetëm Kuvendi, por edhe Qeveria janë bllokuar për shkak të një ligji të ri, i cili e detyron ekzekutivin të japë dorëheqje para certifikimit të mandateve të deputetëve.

“Qeveria po merr vendime dhe bën emërime, por mbetet për t’u parë nëse janë të ligjshme. Problemi është se kemi një shumicë relative që nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha Sopjani, duke shtuar se seanca nuk u zhvillua sipas rregullores dhe se u shkelën procedurat parlamentare.

Ai theksoi se fajin për krizën e mbajnë të gjitha palët politike, por përgjegjësia më e madhe i takon partisë që ka fituar më së shumti mandate – Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkohë, sociologu dhe analisti politik Fadil Maloku paralajmëroi se Kosova po i afrohet “skenarit të tretë”, që nënkupton bllokim të plotë të funksionimit institucional.

“Faktikisht jemi në ngërç politik dhe afër skenarit të tretë. I pari është konstituimi, i dyti pezullimi dhe i treti bllokimi. Po e shohim si një krizë legjitimiteti politik, me probleme të interpretimit të ligjeve dhe nenit 9 e 26 të Ligjit për Qeverinë”, tha Maloku.

Ai e përshkroi situatën si një “lojë midis miut dhe macës”, ku secila palë përpiqet t’i hedhë fajin tjetrës, ndërsa theksoi se në thelb të kësaj krize janë interesat ekonomike dhe klanore të elitave politike.

“Është një lojë për pushtet, për monopolin mbi resurset dhe pasuritë e Kosovës. Ligji është i thjeshtë, por qëllimisht po improvizohet për të manipuluar me opinionin publik”, shtoi Maloku.

Vazhdimi i seancës më 19 prill pritet me shumë interes, ndërsa mbetet të shihet nëse vendi do të arrijë të shmangë skenarin më të keq: bllokimin total institucional.


Shtuar 17.04.2025 19:28