Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është deklaruar pas dështimit të 22-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka pohuar Kuvendin nuk e konstituon fituesi, por të gjithë, ndryshe nga formimi i Qeverisë, që e sheh si përgjegjësi të partisë së tij Vetëvendosje.
“Kosova ka qeveri në detyrë, unë jam kryeministër në detyrë. Ajo që i ndihmon Kosovës është Kuvendi i ri i Republikës. Kuvendin nuk e konstituon fituesi, por të gjithë. Si fitues të zgjedhjeve me 48 deputetë dhe me 9 deputetë të pakicave që na janë bashkuar, e kemi përgjegjësinë për ta formuar qeverinë. Pra, fituesi e ka përgjegjësinë për formimin e qeverisë. Ndërkaq, për ta konstituuar Kuvendin, përgjegjësinë e kanë të gjithë deputetët dhe po bëjnë gabim që po e pamundësojnë kuorumin për votimin e fshehtë”.
“Sidoqoftë, edhe kjo çështje e votimit të fshehtë tashmë është adresuar në Gjykatën Kushtetuese dhe shpresoj e uroj për një përgjigje sa më të shpejtë nga ana e tyre”, theksoi Kurti, para mediave.
Kurti u pyet nga gazetarët edhe për aksionin në Ministrinë e Bujqësisë, por ai nuk dha ndonjë përgjigje.