Dëshmon për herë të parë në Gjykatë vrasësi i Martin Canit, rrëfen detaje nga dita e krimit

Autori i vrasjes së Martin Canit, Mario Përlleshaj ka dëshmuar këtë të hënë për herë të parë në Gjykatën e Tiranës.

Para togave të zeza, i mituri ka pohuar se thikën me të cilën qëlloi bashkëmoshatarin e tij e gjeti në rrugë dhe se ngjarja e 18 Nëntorit erdhi pas disa përplasjeve që ai kishte pasur me Canin.

Sipas dëshmisë të Përlleshajt mësohet se sherri mes dy djemve kishte nisur ditë më parë ku Martini e ka goditur me grushte.

Më pas ky i fundit i dërgoi ftesë në “SnapChat” ku dhe vijuan debatet dhe e lanë që të sqarohet ditën e hënë, ditë kur dhe ndodhi ngjarja e rëndë. Ndërkohë që mësohet se në shumicën e pyetjeve i mituri është shprehur se nuk mbante mend.

Mario Përlleshaj aktualisht mbahet në institucionin për të miturit në Kavajë, teksa u arrestua për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani, ngjarje e ndodhur më 18 nëntor të vitit të kaluar pranë ambienteve të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet.


Shtuar 14.07.2025 16:19