Dëshmia tronditëse e 31-vjeçarit që vrau të dashurën 52-vjeçare në Pogradec: Ajo pinte dhe më dhunonte, por e doja…

Ilirjan Selmani, 31-vjeç, i arrestuar për vrasjen brutale të 52-vjeçares Kozeta Teço në Pogradec, ka dhënë një dëshmi tronditëse para policisë, duke pohuar se kishte një lidhje trevjeçare me viktimën dhe se, pavarësisht diferencës në moshë, ai e donte.

“E doja, nuk më bënte përshtypje mosha. Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës”, ka thënë Selmani në rrëfimin e tij, duke shtuar se marrëdhënia mes tyre ishte e trazuar nga xhelozia, alkooli dhe dhuna.

Ai ka pohuar se shpesh bashkëjetuesja e tij dehej dhe e dhunonte, por ai e duronte “sepse e donte”.

Sipas dëshmisë, kohët e fundit raporti mes tyre ishte tensionuar edhe më shumë: “jo dehej shpesh. Njësoj bëja dhe unë. Kjo na bashkonte, dashuria dhe e pira. Kohët e fundit kishte raste kur më godiste. E duroja sepse e doja. Pastaj nuk durova dot më”.

Selmani ka tentuar të justifikojë praninë e gjurmëve të gjakut duke thënë: “Peshqirët me gjak i hodha në mbeturina duke menduar se mos ishte therur ndonjë pulë, sepse ajo ishte e fiksuar pas pastërtisë”.

Ndërkohë, policia ka konfirmuar se 31-vjeçari e ka goditur me thikë disa herë Kozeta Teçon pas një grindjeje, duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Më pas, ai ka tentuar të zhdukë gjurmët duke i vënë flakën banesës.

Ilirjan Selmani, ndodhet tashmë pas hekurave.


Shtuar 29.07.2025 10:33