Derbi i kryeqytetit dhuron spektakël në “Air Albania”, Partizani triumfon ndaj Tiranës

Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës ka qenë një spekakël i vërtetë gjatë gjithë minutazhit përkatës. “Demat e Kuq” kanë qenë ata që kanë triumfuar në “Air Albania” me rezultatin 2-1.

Pjesa e parë ka qenë studiuese më shumë për të dyja skuadrat, por rastet e pastërta për gol nuk kanë munguar, si nga Partizani ashtu edhe Tirana. Pas disa tentativave nga të dyja palët, intervali i parë kohor është mbyllur me rezultatin e barabartë 0-0.

Pjesa e dytë ka nisur furishëm më pas, me Partizanin që po kërcënonte portën bardheblu. Por edhe Tirana nuk ngeli pas, pasi tentuan të gjenin golin e parë disa herë, madje duke goditur dy herë edhe traversën. Çdo aksion ishte kundërsulm, si nga “demat”, ashtu edhe nga bardheblutë.

Vendimtare ishte minuta e 77’, pasi Partizani merr përsipër të ekzekutojë një goditje nga këndi dhe topi përfundon në kokën e Gueye, i cili më pas shënon golin e epërsisë në këtë derbi madhështor.

Atëherë kur dukej se gjithçka kishte mbaruar, në fakt sapo filloi. Tirana gjeti golin e barazimit në minutën e 90’ të ndeshjes. Por mrekullia ndodhi vetëm një aksion më pas, pasi Partizani del në zonën e kundërshtarit dhe shënon golin e avantazhit 2-1 me anë të Keko.

Me këtë fitore, Partizani ngjitet në vendin e dytë me 14 pikë, dy më pak se Egnatia kryesuese. Nga ana tjetër, Tirana ndodhet në vendin e katërt me 13 pikë, po aq sa Laçi i vendit të tretë.


Shtuar 19.10.2023 21:05