Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ironizoi kryeministrin Edi Rama për mbledhjet që ka mbajtur ditët e fundit me Asambletë e PS-së në njësitë e Tiranës, duke theksuar se bën mbledhje partie sepse para popullit nuk del dot.
Në Foltoren para Kryeministrisë, Berisha u shpreh se me kryeministrin Edi Rama, integrimi në BE është një horizont i pakapshëm. Sipas tij, nga 9 vende që kanë bllokuar raportin IBAR, të rëndësishëm për vijimësinë e procesit të intregimit, numri do të rritet në më shumë për shkak të kryeministrit. Ai shtoi se sa më shumë ta njohë bota Ramën, aq më shumë vende “do ta neverisin atë dhe do të ngrihen kundër tij.”
Të lidhura
“Ai po del para shqiptarëve dhe botës si armik i egër. Në vendimet e fundit, çdo ditë kalon nga një mbledhje PS se popull nuk takon dot më, në një mbledhje tjetër të PS. Çfarë iu thotë, gati është integrimi, po ecim. Me të vërtetë integrimi me Ramën ka qenë dhe mbetet një horizont i pakapshëm, që largohet. Dy javë më parë, ishin 4 vende ato që bllokuan votimin e raportit IBAR, dy javë më vonë janë 9 vende. Ju garantoj se pas dy javësh të tjera do të jenë 15. Dhe sa më shumë do ta njohë Evropa dhe bota Edi Ramën, aq më shumë do ta neverisin atë dhe do të ngrihen kundër tij.
Ndaj edhe 17 prilli është ditë e shqiptarëve, kryengritjes më të madhe paqësore. Le të mblidhemi me besim të plotë se fitorja është e qytetarëve, se shqiptarët nuk do të pranojnë, dhe s’do të pajtohen kurrë me një regjim që i bllokon, vjedh e plaçkit ditën e natës, që i përzë të rinjtë nga Shqipëria, që e ka bërë Tiranën qytet të pajetueshëm nga të rinjtë.”, u shpreh Berisha.
Më tej, ai shtoi se dera e BE është mbyllur për Ramën, Belinda Ballukun dhe “Lindat e AKSHI-t e Surrelit”, dhe jo për qytetarët shqiptarë. Berisha ftoi gjithashtu qytetarët që të bashkohen në protestën e 17 prillit për t’i dhënë përgjigjen e merituar qeverisë.
“Do të vazhdojmë betejën për çeljen e rrugës së integrimit në BE. Nuk të hap kush derën kur do të hysh si hajdut. Derën nuk ua kanë mbyllur shqiptarëve, por Ramës, Lubi Ballukut, Lindave te AKSHIT e Surrelit, dhe anëtarëve të organizatës kriminale, por jo qytetarëve të ndershëm. Ndaj edhe ne t’u japim përgjigjen e merituar këtyre hajdutëve dhe ta kthejmë Shqipërinë në rrugën e integrimit dhe të ardhmes”, shtoi ai.

