Deputeti ukrainas: Pasi të mbarojë lufta, shteti im do ta njohë pavarësinë e Kosovës

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, ka folur për raportet midis Kosovës dhe Ukrainës si dhe luftën aktuale në Ukrainë me Rusinë.

Ai është shprehur se pasi lufta të përfundoj me Rusinë, Ukraina duhet ta njohë Kosovën menjëherë dhe se Serbia duhet të vendos a të shkojë me “Putinin e lig” apo botën e lirë.

“Ukraina do ta njohë Kosovën menjëherë pas përfundimit të luftës. E ndjej mbështetjen në rrugët e Prishtinës siç thonë njerëzit ‘Slava Ukraini’”.

“Por, Serbia duhet të vendosë nëse dëshiron të shkojë me Putinin e lig apo me botën e lirë”, tha deputeti për Kanal10.

Goncharenko bëri bujë të madhe me fjalimin e tij në Këshillin e Evropës ku bëri thirrje për njohje të Kosovës.

Oleksiy Goncharenko, anëtar i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme në Këshillin e Evropës, me një fjalim pasionant, u bëri thirrje 12 anëtarëve të KiE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën “ta bëjnë menjëherë”. Në fund, në gjuhën shqipe, deklaroi se “Kosova është Evropë”


Shtuar 27.10.2022 23:12