Deputeti i zgjedhur i PD-së denoncon: Policia manipulon provat e blerjes së votave në Pekisht

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, ka akuzuar Policinë e Shtetit, për manipulim të provave dhe fshehje të fakteve në hetimin e ngjarjes së ndodhur në një lokal në fshatin Pekisht të Peqinit, në lidhje me atë që ai e cilëson si “farsën elektorale të 11 majit”.

Sipas Himçit, policia po përpiqet të minimizojë ndikimin e ngjarjes duke e paraqitur vetëm si një rast falsifikimi materialesh zgjedhore, ndërkohë që provat tregojnë një veprimtari të gjerë kriminale për blerje votash dhe shtrëngim me qëllim ndikimin e vullnetit të zgjedhësve.

“Në vijim të përpjekjeve për të fshehur krimet zgjedhore që cuan në farsën elektorale të 11 majit, dhe për të vazhduar si palë me qeverinë, Policia e Shtetit manipulon provat dhe fsheh faktet.

Në komunikatën për shtyp në lidhje me menaxhimin e provave në një lokal në fshatin Pekisht të Peqinit, Policia flet vetëm për materiale zgjedhore, të falsifikura sipas saj, duke lënë jashtë disa elementë të tjerë kriminalë. Policia e Elbasanit fsheh kartat e identiteti të ciat po vetë i ka fotografuar në tavolinën e lokalit. Po ashtu paratë që janë gjendur në mesin e provave, të përgatitura për të blerë vota, i fut në portofolin e patronazhistit socialist.

Policia përmend 280 mijë lekë si pjesë e provave, ndërkohë që bëhet fjalë për lekë shqiptare, euro dhe paund britanik, siç pasqyrohen edhe në foton që shoqëron komunikatën fillestare.

Gjithashtu, Policia i shmanget një elementi kyc në hetim, sekuestrimit dhe kqyrjes së materialeve filmike të kamerave të lokalit. Aty do të dilte qartë nëse paratë kanë qenë në banak apo në kuletë, dhe kush ka hyrë e kush ka dalë nga lokali më 10 dhe 11 maj.

Përpjekja është e qartë: patronazhisti të marrë një dënim sa për të kaluar radhën për falsifikim materialesh zgjedhore, dhe të shpërfillen akuzat për blerje votazh, shtrëngim me qëllim ndryshimin e vullentit zgjedhor etj.

Ky është shërbimi i fundit që policia u bën bandave të pushtetit. Nuk ka si të jetë ndryshe, sa kohë që drejtorët e saj caktohen nga narko-trafikanët. I bëjmë thirrje SPAK të mos e përdorë forcën e Task Forcës publicitare për Kristianin që ka ‘tradhtuar’ Ramën, duke luajtur me dy porta, apo të ngjitet deri në Pukë për një zyrtar të opozitës, por të merret me problemin e vërtetë të zgjedhjeve”, tha ai.