Kryetari i Partisë Mundësia dhe njëkohësisht deputeti i kësaj partie, Agron Shehaj, ka ndarë sot një lajm të dhimbshëm, pasi ka humbur njeriun e dashur të familjes.
Babai i tij, Siri Shehaj është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.
Vetë ligjvënësi me një postim të gjatë dhe të ndjerë në rrjetin social Facebook, shkruan se i ati humbi jetën pas një beteje të mundimshme me sëmundjen e rëndë në Itali, ku dhe jetonte.
“Të dashur miq, pas një beteje të mundimshme me sëmundjen e rëndë, babai im, Siri Shehaj, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare. U rrit jetim, por la pas një familje të madhe, me nipër e mbesa, që do ta kujtojnë gjithmonë për njeriun e drejtë dhe luftarak që ishte”, shkruan Shehaj mes të tjerash.
Më tej ai njofton se pritja në Bolzano do të mbahet të martën, 13 Janar, në Hotel Sheraton, Itali, nga ora 09:00-14:00. Varrimi do të bëhet po të martën, në orën 15:00, te varrezat e qytetit të Bolzanos në Via Maso della Pieve. Kurse në Vlorë, pritja do të mbahet në datën 16 Janar.
Postimi i plotë i Agron Shehajt:
“Të dashur miq, pas një beteje të mundimshme me sëmundjen e rëndë, babai im, Siri Shehaj, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare.
Jeta e tij ishte një luftë e përditshme. U rrit jetim, pasi kur ishte vetëm 8 vjeç, babai i tij, gjyshi im, vdiq në burgun e Burrelit si i burgosur politik.
Megjithatë, ai gjeti forcën ta niste gjithçka nga e para, jo për vete, por për ne, 3 fëmijët e tij. Nuk donte të largohej nga Shqipëria, por donte që ne të ishim të lirë, të kishim një jetë më të mirë, të shkolloheshim dhe të edukoheshim.
Në vitin 1991, si shumë familje shqiptare, u nisëm me anije drejt Italisë, që në atë kohë ishte shpëtimi ynë.
35 vitet e fundit të jetës i kaloi në Bolzano, mes një komuniteti miqsh që e respektonin dhe e vlerësonin për njeriun fisnik që ishte.
Ai ishte nxitësi im më i madh për t’u kthyer në Shqipëri dhe ishte krenar që po bëja atë që ai nuk arriti ta bënte dikur. Shumë nga ajo që bëj sot është edhe për të, për gjithçka që ajo periudhë e errët nuk e lejoi të realizonte. Babai im ishte heroi im. Ai që më ka mësuar, frymëzuar të mos dorëzohem kurrë.
U rrit jetim, por la pas një familje të madhe, me nipër e mbesa, që do ta kujtojnë gjithmonë për njeriun e drejtë dhe luftarak që ishte.
Pritja në Bolzano do të mbahet të marten 13 Janar në Hotel Sheraton, Bolzano, Itali, nga ora 09:00-14:00.
Varrimi do të bëhet të martën, në orën 15:00, te varrezat e qytetit të Bolzanos në Via Maso della Pieve.
Në Vlorë Pritja do të mbahet në daten 16 Janar”.
