Partia Demokratike sqaroi sot se nënshkrimet e deputetëve të opozitës për kandidatët për Avokat të Popullit janë dhënë para se Komisioni i Ligjeve të bënte kualifikimin e tyre. Sipas PD-së, disa kandidatë i kanë përdorur këto nënshkrime sikur të ishin propozim zyrtar për votim, gjë që partia e konsideron “të pavërtetë” dhe në kundërshtim me ligjin.
PD thotë se, pasi Komisioni i Ligjeve njoftoi zyrtarisht se çdo deputet mund të mbështesë vetëm një kandidat, deputetët e opozitës kanë tërhequr të gjitha nënshkrimet e dhëna më herët. Opozita ka propozuar nisjen e një procesi të ri, transparent, mes mazhorancës dhe opozitës për përzgjedhjen e kandidatit.
“Jemi në pritje të përgjigjes zyrtare të Kryetarit të Kuvendit për hapat e mëtejshëm. Tërheqja e nënshkrimeve është depozituar në Kuvend”, thuhet në reagimin e PD-së.
Sqarim për mediat:
Për shkak të interesit të mediave mbi kandidatët për Avokat Populli, ju sqarojmë se:
Nënshkrimet e deputetëve të opozitës janë dhënë përpara kualifikimit të kandidatëve nga Komisioni i Ligjeve, pavarësisht se kur kandidatët vetë i kanë depozituar në Kuvend dhe një pjesë prej tyre i kanë përdorur në kundërshtim me ligjin si propozim për votim (gjë që nuk është e vërtetë) në kuptim të nenit 9 të ligjit për Avokatin e Popullit.
Pas vendimit të Komisionit të Ligjeve, që i është njoftuar zyrtarisht grupeve parlamentare, që “1 deputet mbështet vetëm 1 kandidat sipas ligjit”, deputetët e opozitës kanë tërhequr të gjitha nënshkrimet e dhëna paraprakisht, dhe kanë propozuar ndërtimin e një procesi transparent përzgjedhje mazhorancë-opozitë. Mbetemi në pritje të përgjigjes institucionale të Kryetarit të Kuvendit për të proceduar më tej.
Tërheqja e nënshkrimeve depozitohet zyrtarisht në Kuvend.
