Deputetët e Komisionit të Ligjeve dhe Ekonomisë kërkojnë rritje pagash, Bushka: Do t’ia sugjerojmë Kuvendit

Deputetët e Komisionit të Ligjeve dhe Ekonomisë kanë bërë kërkesë për rritjen e pagave të tyre, teksa në Kuvend  po diskutohet një ligj për rritjen e rrogave në administratën shtetërore.

Pas diskutimeve në komision, kryetarja Klotilda Bushka e hodhi në votim draftin, duke kujtuar që në komisionin e ekonomisë do të shkojnë edhe sugjerimet për ndryshimin e koeficientit për kategorinë e deputetëve dhe ministrave, çka do të thotë rishikim edhe të pagave të tyre.

Bushka: Ne do kalojmë në miratimin nen për nen dhe në tërësi me sugjerimin e kolegut Xhoxhi që të rishikohet raporti i pagës për funksionet e seksioneve A, B, C dhe D të lidhjes 1 në kuadër të parimit të hierarkisë së pagës. Kjo do të jetë pjesë e sugjerimit të komisionit tonë për komisionin e ekonomisë. Ne nuk do bëjmë amendamente sepse do të jetë komisioni përgjegjës që do të bëjë shqyrtimin e këtyre çështjeve.

Gjatë mbledhjes së zhvilluar sot, e para pas zgjedhjeve të 14 majit, deputeti socialist, Fatmir Xhafaj u shpreh se rritja e pagave, me variantin siç ka ardhur nga qeveria, nuk e ruan hierarkinë e piramidës shtetërore.

Xhafaj: E garantoni këtë apo është një argument thjesht për ta bërë këtë gjë? Unë konstatoj se nuk ruhet kjo hierarki. Mund të vendosni koeficentë të caktuar, por hierarkia nuk ruhet. Do kemi njerëz që do marrin shumë më tepër se funksione të caktuara. A mund të kishte një formulë tjetër që të ndryshonit ligjet kuadër që të ndryshojnë pagat.

Ndërsa deputeti demokrat, Sajmir Koreshi u shpreh se shumë kategori janë lënë pas dore dhe se sidomos pensionistët nuk kanë pasur vëmendjen e duhur.

Korreshi: Marr shkas në lidhje me ligin, ka 10 vite që nuk është rritur asnjë 1000 lekë. 10700 lekë merr mamaja ime. Një bukë misri dhe një shishe kos bën 200 l, pra 6000 lekë në muaj. 4000 lekë janë ilaçe, tani mbeten 8 mijë lekë për drita ujë dhe me radhë. Të tjerët s’kanë leke për të blerë mbathje, për të ngrënë bukë./Albeu.com/