Deputetët demokratë kërkesë Lindita Nikollës, kërkojnë mocion me debat publik për inceneratorët

Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë i kanë dërguar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla një kërkesë për mocion me debat publik urgjent në Parlament në lidhje me aferën e inceneratorëve.

“Kërkesa e SPAK për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së ish zv/ministrit Arben Ahmetaj dëshmon edhe një herë që kjo aferë është aq e madhe, sa përfshin edhe organet e qeverisë deri në majën e kupolës ku përfshihen edhe ministra dhe zyrtarë të tjerë dhe kryeministri Edi Rama, pa urdhrin e të cilit kjo aferë nuk do ishte zbatuar”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Seanca plenare e ditës së premte, datë 14.07.2023 u zhvillua në shkelje të Kushtetutës, e cila në Nenin 73, pika 4 e saj, parashikon diskutim si dhe votim të hapur me qëllim që opinioni publik të vihet në dijeni mbi qëndrimet e secilit deputet.

Kerkesa e plote

“Ndaj: Meqenëse seanca e ditës së sotme nuk e garantoi mundësinë e debatit për një cështje të një rëndësie madhore, kërkojmë nga ana juaj:

Mbledhjen URGJENTE, brenda ditës së premte date 14.07.2023, të Konferencës së Kryetarëve dhe futjen si çështje e parë në rendin e ditës në seancën plenare të dt 20.7.2023, të mocionit me debat rreth skandalit të inceneratorëve ku nga informacionet e bëra publike, përveç ish zv. kryeministrit Ahmetaj janë të përfshirë edhe ministra të tjerë aktualë, ish-ministra, deputetë e funksionarë të tjerë të lartë;
Çdo deputet të ketë të drejtën e diskutimit 10 minuta; Lista e folësve për Mocionin me Debat të fillojë detyrimisht me deputetët iniciues të Mocionit me Debat dhe më pas mund të vijojnë folësit apo diskutantët e tjerë.”/Albeu.com


Shtuar 14.07.2023 16:44