Depozitat me afat në lekë, në rënie për të dhjetin vit radhazi

Depozitat me afat në lekë po vazhdojnë edhe këtë vit rënien, për të dhjetin vit radhazi.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit korrik vlera e këtij segmenti të depozitave zbriti në 200.4 miliardë lekë, në rënie me 4.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shkalla e rënies ka një tendencë në ngushtim gjatë këtij viti. Në fund të vitit 2022, rënia e depozitave me afat në Lekë kishte qenë 6.3%.

Por, ndryshimi vjetor ngelet në rënie të dukshme dhe cikli i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë nuk ka mjaftuar për të kthyer në rritje depozitat me afat në monedhën vendase.

Normat e interesit të depozitave filluan të rriteshin pas ndryshimit të kursit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, në mars të vitit të kaluar.

Rritja u nxit sidomos nga një rritje e shpejtë e yield-eve të Bonove të Thesarit të qeverisë shqiptare, që tërhoqi një rritje të fortë të investimeve direkte të individëve dhe krijoi më shumë konkurrencë për kursimet e publikut. Por, rënia e yield-eve të bonove dhe obligacioneve që prej fillimit të këtij viti ka frenuar ndjeshëm rritjen e normave të interesit të depozitave.

Këtë vit, Banka e Shqipërisë e ka frenuar ciklin e rritjes së shpejtë të normave të interesit. Norma bazë është rritur vetëm një herë, në muajin mars dhe aktualisht ndodhet në 3%, një nga nivelet më të ulët në Europë.

Ky frenim shpjegohet më së shumti me forcimin e lekut në kursin e këmbimit valutor. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në Lekë të individëve në korrik zbriti në 1.77%, nga 1.84% që kishte qenë për muajin qershor.

Ndërkohë, llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në Lekë vazhdojnë të rriten, duke dëshmuar se në përgjithësi aktorët ekonomikë vazhdojnë të preferojnë t’i mbajnë fondet në banka në llogari likuide dhe të gatshme për tu përdorur. Në fund të muajit korrik, llogaritë dhe depozitat pa afat në lekë ishin në rritje vjetore me 3.8%, në nivele të përafërta me fundin e vitit 2022.

Megjithatë, periudha inflacioniste ka ndikuar ndjeshëm në ngadalësimin e rritjes edhe për këtë segment të depozitave në Lekë. Në periudhën 2020-2021, llogaritë rrjedhëse dhe depozitat me afat në lekë ishin rritur me ritme dyshifrore, përkatësisht 25.9% dhe 14.5%.

Rritja e inflacionit në fillim të vitit 2022 dhe shtrëngimi i ndjeshëm i politikës monetare dhe fiskale gjatë kësaj periudhe e ka frenuar dukshëm rritjen e depozitave bankare në përgjithësi.

Ndërkohë, si rezultat i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit, për herë të parë në korrik edhe depozitat në valutë të huaj (me vlerë të shprehur në Lekë) pësuan rënie me 1.8% me bazë vjetore./monitor


Shtuar 2.10.2023 08:28