Administrata Trump raportohet se ka urdhëruar zyrtarët konsullorë amerikanë të zbatojnë kontroll më të rreptë ndaj aplikantëve për viza H-1B dhe të refuzojnë këdo që rezulton se ka marrë pjesë në “censurë ose tentativë censurimi” të fjalës së mbrojtur në Shtetet e Bashkuara, sipas një komunikimi të brendshëm të Departamentit të Shtetit.
Reuters raportoi se direktiva, e dërguar në të gjitha misionet amerikane më 2 dhjetor, i udhëzon zyrtarët konsullorë të shqyrtojnë CV-të, profilet në LinkedIn dhe çdo informacion publikisht të disponueshëm për të përcaktuar nëse një aplikant ose anëtarë të familjes që udhëtojnë me të ka punuar më parë në fusha si dezinformimi, keqinformimi, moderimi i përmbajtjes, verifikimi i fakteve, përputhshmëria (compliance) apo siguria online.
Sipas komunikimit të cituar nga Reuters, zyrtarët duhet të ndjekin një konstatim se aplikanti është i papranueshëm nëse zbulojnë prova se individi ka qenë përgjegjës ose bashkëfajtor në censurimin ose tentativën për censurim të shprehjes së mbrojtur në Shtetet e Bashkuara. Një politikë e re e Departamentit të Shtetit shton rolet e lidhura me të lirinë e fjalës, përfshirë verifikimin e fakteve dhe moderimin e përmbajtjes, në kriteret për refuzimin e vizave.
Megjithëse direktiva zbatohet për të gjitha kategoritë e vizave, komunikimi kërkon kontroll të veçantë për aplikantët H-1B, sepse ata shpesh punojnë në sektorin e teknologjisë, përfshirë kompanitë e mediave sociale ose shërbimeve financiare të përfshira në shtypjen e shprehjes së mbrojtur. Kërkesat e verifikimit vlejnë si për aplikantët e rinj ashtu edhe për ata që aplikojnë përsëri.
Reuters raportoi gjithashtu se komunikimi, i cili nuk ishte bërë publik më parë, i udhëzon zyrtarët konsullorë: “Duhet të eksploroni me imtësi historitë e tyre të punësimit për t’u siguruar se nuk ka pasur pjesëmarrje në aktivitete të tilla”.
“Edhe pse nuk komentojmë dokumente që pretendohet se kanë rrjedhur, ta keni të qartë: Administrata e ka bërë të qartë se mbron lirinë e shprehjes së amerikanëve kundër të huajve që duan t’i censurojnë ata. Ne nuk mbështesim që të huajt të vijnë në Shtetet e Bashkuara për të punuar si censorë që u mbyllin gojën amerikanëve.
Në të kaluarën, vetë Presidenti ka qenë viktimë e këtij lloj abuzimi kur kompanitë e mediave sociale bllokuan llogaritë e tij. Ai nuk dëshiron që amerikanë të tjerë të vuajnë në këtë mënyrë. Lejimi i të huajve që të udhëheqin këtë lloj censurimi do të ishte njëkohësisht fyes dhe dëmtues për popullin amerikan”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i tha gazetares Gillian Turner në Fox News Channel:
Ky hap vjen në një kohë kur administrata po ashpërson kritikat ndaj censurës në Europë. Zëvendëspresidenti JD Vance reagoi më 4 dhjetor ndaj raportimeve për një gjobë të mundshme të BE-së kundër X, duke shkruar në llogarinë e tij zyrtare: “Qarkullojnë thashetheme se Komisioni i BE-së do ta gjobisë X me qindra miliona dollarë për mosangazhim në censurë. BE-ja duhet të mbështesë fjalën e lirë, jo të sulmojë kompanitë amerikane për gjëra pa vlerë”.
Duke theksuar më tej vendosmërinë e administratës për të luftuar censurën, nëndrejtoresha e Departamentit të Shtetit, Sarah Rogers, postoi një video në X duke iu përgjigjur një anëtareje të Parlamentit Europian, ku tha se po rishihte disa komente për të cilat njerëz në Europë dhe gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar janë hetuar, arrestuar ose burgosur nga qeveritë e tyre vitet e fundit, dhe listoi shembuj nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Suedia.
“Një grua gjermane mori një dënim me burg më të ashpër se një përdhunues i dënuar, pasi ajo e quajti përdhunuesin ‘një derr i turpshëm’,” deklaroi ajo, ndër të tjera.
Në maj, Marco Rubio kërcënoi me ndalime vizash për personat që censurojnë fjalën e amerikanëve, përfshirë në rrjetet sociale, dhe sugjeroi se politika mund të synojë zyrtarë të huaj që rregullojnë kompanitë teknologjike amerikane.
Administrata tashmë ka shtrënguar procedurat e verifikimit për vizat studentore duke udhëzuar zyrtarët të kontrollojnë aktivitetin e aplikantëve në rrjetet sociale për postime armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump gjithashtu vendosi tarifa të reja për vizat H-1B në shtator, si pjesë e një reforme më të gjerë të emigracionit. Kontrolli i shtuar i lidhur me censurën përfaqëson hapin më të fundit në përpjekjen e administratës për ta lidhur politikën e vizave të SHBA-së me axhendën e saj për lirinë e shprehjes./FOX NEWS
