Denoncoi publikisht dhunën ndaj të moshuarës, aktorja Zeneli tregon si ia dërguan videon

Videoja ku shfaqej ushtrimi i dhunës ndaj një të moshuare në Shtëpinë e Fëmijës në Pejë është publikuar fillimisht në formë denoncimi nga aktorja e njohur Kaltrina Zeneli.

Në një lidhje direkte për “Opinion” në Tv Klan, aktorja Zeneli tregon se videoja i ka mbërritur nga një person i panjohur, i cili i ka kërkuar se ku mund ta denoncojë si rast. Ajo tregon se personi i ka dërguar videon dhe më pas nuk është bërë më i gjallë.

Kaltrina Zeneli: Më ka ardhur prej një personi të panjohur dhe më ka pyetur se si mundet ta denoncojë një dhunë që ka ndodhur në një vend. Dhe përgjigjia ime ka qenë që ta thërrasë policinë. Thashë se ata të drejtojnë dhe të thonë se çfarë duhesh të bëjnë më tutje. Më tha a mund të më gjesh një numër që merret me këtë gjë dhe më vonë thashë të pyes. Ma ka dërguar vetëm videon dhe nuk është bërë më pastaj person i i gjallë dhe më është lutur që të mos e tregoj.

Fillimisht kur e hapa thashë së çfarë paska ndodhur dhe më pas jam shtangur dhe më kanë filluar kolegët të më pyesin çfarë ka ndodhur dhe unë s’kam mundur të jap asnjë përgjigje. E kam ndaluar videon, nuk e kam shikuar deri në fund dhe më pas isha unë personi që nuk dija se kujt t’i drejtohem.

E bëra publike në rrjetet e mija sociale dhe nisa të etiketoj mediat tona, unë menjëherë e merrja dhe e vendosja në status, më pas disa prej kolegëve tonë dhe ju kam thënë që merreni këtë rast dhe shqyrtojeni dhe faleminderit të gjithë personave që nuk kanë ngurruar dhe janë nisur në vendin e ngjarjes. Personat që kanë ushtruar dhunë janë aty ku duhet të jenë.

Gazetari Blendi Fevziu e ka falenderuar publikisht aktoren Kaltrina Zenelin që falë asaj videoje shumë njerëz kanë shpëtuar nga dhuna dhe sot të pakëtn përgjegjësit janë para drejtësisë.

Blendi Fevziu: Të falenderoj për publikimin e asaj videoje sepse falë publikimit të saj kanë shpëtuar shumë njerëz nga dhuna, faleminderit që sot përgjegjësit të paktën janë para drejtësisë./tvklan.al