Këtë të mërkurë, në konferencën për mediat, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi verifikimin e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme për dënimin e gjyqtares Irena Gjoka për falsifikim visazh në Greqi, që rezultoi se ajo e kishte fshehur në formularin e vetdeklarimit.
Kryedemokrati theksoi se u verifikua ajo që ai ka denoncuar vetë që në mars të vitit 2024. Berisha nuk kurseu sulmet ndaj saj, duke e cilësuar si “falsifikatore” me vendim gjyqësor, pavarësisht se dënimi iu konvertua në gjobë.
“Irena Gjoka ka vendim penal në Greqi, si falsifikatore si dhe dy dëbime nga shteti fqinj dhe zona Shengen. Ajo është një falsifikatore e certifikuar, me vendim gjyqësor, vepër për të cilën është dënuar me burg si falsifikatore, më pas të konvertuar në gjobë. Ky vendim penal ka marrë formë të prerë. Po kështu është dëbuar dy herë nga shteti grek më 24.12.2002 dhe dy muaj më pas, 12.02.2003. Ishte në dijeni të plotë të këtyre dëbimeve dhe autorizoi avoketërit për kundërshtimin e tyre.
Avoketërit i kundërshtuan masat, ndër të tjera edhe në Gjykatë Administrative. Kjo gjykatë e rrëzoi ankimimin për shkak të parregullisë së prokurorës së lëshuar nga Irena me 5 mbiemra. Edhe këto dëbime morën formë të prerë. Vesi i falsifikimit del me shpirtin. Gjoka vazhdoi falsifikimet e saj në drejtësinë shqipare si gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe më pas në GJKKO. Ajo nuk ka raportuar dënimet e veta pranë KLGJ siç kërkohej në ligjin e ‘96 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Berisha.
Gjithashtu, Berisha përmendi edhe ligjin e dekriminalizimit, që në rast fshehje e dënimeve, duhet të çojë në ndërprerjen e menjëhershme të funksionit të gjyqtares.
Berisha tha se ajo nuk duhet të ishte gjyqtare në bazë të Kushtetutës sepse nëse një person, integriteti publik i të cilit është cënuar, nuk mund të vijojë në organet kushtetuese.
“Sipas ligjit 138/2015, ligji i dekriminalizimit, ligji i miratuar me 3/5, fshehja, refuzimi për të deklaruar gjykime, dënime, qoftë dhe jo të formës së prerë, nga autoritetet e huaja për çfarëdo lloj vepre penale apo masë dëbimi, shkakton ndërprerjen e menjëhershme të funksionit të gjyqtarit, si dhe përbën vepër penale që përfshin dënimin me burg.
Irena Gjoka si gjykatëse e Gjykatës së Krimeve të Rënda, si gjykatëse në GJKKO, si kryetare e GJKKO-së dhe si subjekt i vetingut, ka pasur në të gjitha këto cilësi detyrimin të plotësojë formularë deklarimi sipas ligjit dhe të zbulojë ekzistencën e një gjykimi penal, një dënimi penal, dy dëbimeve dhe një gjykimi administrativ.
Falsifikatorja nuk e ka bërë këtë në asnjë rast. Kjo, ndaj ajo ka, siç është me 5 mbiemra, po aq falsifikime, mashtrime. Sipas ligjit 95/2016, ligji për strukturat e posaçme të Gjykatës, Prokurorisë dhe BKH, ligji i miratuar me 3/5, të gjithë ata që donin të punonin në këto struktura duhet të deklaronin nëse kishin dënime brenda ose jashtë shtetit, të formës së prerë ose jo, për çfarëdo lloj shkelje ligjore.
Dhe Irena Gjoka përsëri nuk e ka deklaruar dënimin e saj në Greqi, procesin në gjykatën administrative, dënimin penal dhe dy dëbime. Refuzimi për të deklaruar përbën shkak për shkarkimin e saj të menjëhershëm”, thotë Berisha.
