Këtë të enjte, Apeli i Posaçëm la në fuqi vendimin me 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji lidhur me dosjen “Babale”.
Juristi i njohur Jordan Daci, thotë se vendimi i Apelit për të dënuar me burg Ervin Salianjin, është politik. Sipas tij, vepra për të cilën akuzohet deputeti i PD-së, nuk e justifikon dënimin me burg.
Gjithashtu, Daci thotë se çështja ose duhej të pushohej, ose duhej që dënimi të konvertohej në një masë më të butë.
“Edhe mbarimi i mandatit nuk mbaron vetvetiu, duhet të mblidhet Këshilli i Mandateve. Të gjitha këto të lidhura bashkë bëjnë të domosdoshëm kontrollin formal, minimal, ka një mori arsyesh proceduralesh që kërkojnë një kontroll formal për heqjen e lirisë së këtij deputeti dhe t’i hapë rrugë dënimit.
Ai vendim nuk duhej lënë në fuqi, minimumi duhej konvertuar, se këtu po konvertohen dhe për ata që merren me drogë. Dëmi që i sjell shoqërisë është zero dhe nuk justifikohet dënimi me burg kur dhe zyrtarëve për korrupsion u lehtësohet dënimi. Po të ishte person i rrezikshëm, hajde de, por për mendimin tim nuk justifikohet dënimi me burg. Gjykata e Lartë të marrë vendim për pezullim të këtij vendimi”, tha ai.