Dëmtohet linja e ujësjellësit, mijëra banorë në Mirditë e Rrëshen pa ujë të pijshëm

Një defekt i rëndë në linjën kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit për 9000 banorë të qytetit të Rrëshenit dhe disa Fshatra përreth në Bashkinë Mirditë.

Dëmtimi ka ndodhur orët e para të ditës së djeshme duke sjellë ndërprerjen e menjëhershme të ujit. Janë kryer verifikimet në terren nga punonjësit e Shërbimit të Ujësjellës Kanalizimeve, dhe është konstatuar se kemi të bëjmë me një dëmtim serioz me një gjatësi 85 metra, gjë e cila kërkon ndërhyrje të specializuar dhe mjete të posaçme teknike.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike në përkeqësim, ndërhyrja rezulton e vështirë dhe me rrezik dhe shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Lezhë nuk i ka kapacitetet e plota teknike për riparimin e menjëhershëm të këtij defekti.

Njërkohë gjatë ditës së sotme është bërë furnizimi i pjesshëm me ujë të pijshëm për qytetin e Rrëshenit, ndërkohë që fshatrat e prekur vijojnë të mbeten pa ujë.