Ish-kryeministri Sali Berisha ka lënë selinë e Partisë Demokratike dhe është nisur drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’iu bashkuar mijëra protestuesve që kanë mbërritur sot në Tiranë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Lideri i të djathtëve është shoqëruar nga dhjetëra demokratë mes brohoritjeve dhe thirrjeve: “O Sali, o hero”. Ai shoqërohet nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.
Gjatë kësaj proteste pritet të marrë fjalën, Agron Gjekmarkaj, Ilir Alimehmeti dhe dy të rinj, njëri prej tyre Xhonatan Pano, ku dhe më pas fjalën përmbyllëse do e marrë Berisha.
Kjo është protesta e tretë kombëtare e zhvilluar nga opozita, pas tubimit të mbajtur më 24 janar. Demonstrata po zhvillohet para godinës së Kryeministrisë, ku opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, si dhe krijimin e një qeverie teknike që do të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Në kuadër të mbarëvajtjes së situatës, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie për të shmangur incidente të mundshme. Porta hyrëse e Kryeministrisë është blinduar me struktura metalike. Rreth 1350 efektivë policie janë angazhuar për ruajtjen e perimetrit të godinës.
Në një kohë kur vetë lideri i të djathtëve ka paralajmëruar se dhe kjo protestë do të jetë paqësore, demokratët kanë deklaruar vetë se “fati” është në duart e qytetarëve dhe do të jenë ata që do të vendosin sa i përket vijimësisë dhe mënyrës së si do të zhvillohet më tej protesta.
Por ashtu sikurse dhe raportuam dhe më herët para nisjes së protestës disa të mitur qëlluan me gurë efektivët. Lidhur me këto zhvillime nuk ka një reagim zyrtar nga policia, por burime për mediat bëjnë me dije se efektivët janë duke hetuar për të zbardhur identitetin e tyre dhe personat që mund t’i kenë shtyrë drejt një akti të tillë.



