Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar situatën e ngërçit politik dhe krizës institucionale, duke njoftuar se ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh.
Në një konferencë për media, Osmani theksoi se kjo kërkesë ka për qëllim të parandalojë shkeljen e Kushtetutës nga ana e deputetëve në rast të konstituimit të Kuvendit pas skadimit të afatit kushtetues, apo krijimit të një qeverie në mënyrë të kundërligjshme.
“Kemi dorëzuar kërkesë për masë të përkohshme, kjo e parandalon shkeljen e Kushtetutës nga ana e deputetëve. Konstituimi i Kuvendit pas afatit do të mund të ishte në kundërshtim me Kushtetutën, e po ashtu edhe krijimi i një qeverie në këto rrethana,” deklaroi Osmani.
Sipas saj, nëse nuk pezullohet afati përmes kësaj mase të përkohshme, nuk mund të parandalohet një dëm që ajo e cilësoi si të “pariparueshëm”.
“Pa u pezulluar ky afat, pa bërë kërkesë për masë të përkohshme, ne nuk mund të parandalojmë këtë dëm të pariparueshëm. Prandaj jemi të bindur se kjo kërkesë është në interes publik,” shtoi ajo.
Presidentja bëri të ditur se nuk ka një afat të përcaktuar se kur Gjykata Kushtetuese do të japë një vendim për këtë çështje, por nënvizoi urgjencën dhe rëndësinë që ajo ka për ruajtjen e rendit kushtetues në vend.
“Unë nuk e di sa mund t’i marrë kohë Gjykatës Kushtetuese për të vendosur për të gjitha pikat e kësaj kërkese, por duke pasur parasysh se si po rrezikohet rendi kushtetues i vendit tonë, kjo çështje është me rëndësi të lartë,” përfundoi Osmani.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka obliguar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik.
Më 21 korrik, deputetët për herë të 50-të dështuan të konstituonin Kuvendin e Kosovës, pasi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po kundërshtojnë ndryshimin e mënyrës së votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar si figurë përçarëse të propozuarën e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë asnjë të propozuar nga LVV-ja për kryeparlamentar.