Delegacioni i Hamasit në Kajro, për të shqyrtuar propozimin e Egjiptit për paqen

Një delegacion i lartë i zyrtarëve të Hamasit pritej të shkonte në Kajro të premten, ku do të shqyrtonte propozimin për paqe të Egjiptit, të hartuar me synimin që t’i japë fund luftës ndërmjet Hamasit dhe Izraelit.

Plani egjiptian, që ka tre faza, bën thirrje për lirimin e pengjeve të Hamasit të rrëmbyera me 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin dhe lirimin e të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli; vendosjen e një armëpushimi që do t’i jepte fund luftës; formimin e një qeverie palestineze të përbërë nga profesionistë, për të qeverisur Gazën e pasluftës.

Hamasi dhe Xhihadi Islamik, dy grupet militante që luftojnë kundër Izraelit, kanë parë kopje të propozimit që javën e kaluar, sipas raportimeve.

Ushtria e Izraelit vazhdoi sulmet ajrore dhe operacionin tokësor kundër Hamasit në pjesën veriore, qendrore dhe jugore të Gazës të premten. Banorët thonë se vendbanimet në kampet e refugjatëve Nuseirat dhe Maghazi, që gjenden në pjesën qendrore të Gazës, janë goditur gjatë natës. Luftime të ashpra janë raportuar edhe në kampin e refugjatëve Bureij.

Luftime më të ashpra janë raportuar në qytetin jugor Khan Younis. Një bombë izraelite goditi një shtëpi në muzg të enjten, duke lënë tetë palestinezë të vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Në kampin Maghazi tre palestinezë janë vrarë dhe gjashtë janë lënduar nga një sulm me raketë ndaj një shtëpie, sipas Kryqit të Kuq palestinez.

Tanket izraelite janë parë në afërsi të Bureij-it. Hamasi publikoi një video që tha se tregon pjesëtarët e grupit duke sulmuar tanket dhe forcat izraelite në lindje të Bureij-it. Agjencia e lajmeve Reuters tha se nuk e kishte verifikuar vërtetësinë e videos.

Zyra e ndihmave e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se intensiteti i shtuar i luftimeve në Rripin e Gazës, ndërprerja e shpeshtë e linjave të komunikimit, rrugët e bllokuara dhe mungesa e karburanteve po “sfidojnë operacionet për ndihmat.”

Ushtria izraelite shprehu të enjten “keqardhje për dëmet e shkaktuara ndaj civilëve të papërfshirë” në sulmin ajror të së dielës ndaj kampit refugjat Maghazi. Ministria e Shëndetësisë në territorin e qeverisur nga Hamasi njoftoi se të paktën 70 civilë ishin vrarë në sulm.

Deklarata e ushtrisë tha se aeroplanët luftarakë izraelitë kishin qëlluar dy objektiva “afër të cilëve ishin operativët e Hamasit” dhe një hetim fillestar arriti në përfundimin se ishin qëlluar edhe ndërtesa të tjera aty pranë, duke shkaktuar “dëme të paqëllimshme ndaj civilëve të tjerë që ishin të pa përfshirë.”

Presidenti francez Macron nxit armëpushim të qëndrueshëm

Ndërkohë që Izraeli mbetet i përqendruar në fushatën për të shkatërruar grupin militant, të cilin Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëdnimore e kanë shpallur organizatë terroriste, Presidenti francez Emmanuel Macron realizoi një bisedë telefonike me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahun, duke nxitur atë të punojë drejt një armëpushimi të qëndrueshëm me ndihmën e partnerëve rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Më 7 tetor, militantët e Hamasit kaluan kufirin me Izraelin dhe sulmuan komunitetet izraelite përgjatë pjesës jugore të vendit, duke vrarë 1,200 njerëz, sipas Izraelit. Hamasi po ashtu rrëmbeu 240 pengje, 129 prej të cilëve ende mbahen në Gazë.

Si kundërpërgjigje, Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin dhe nisi një sulm ajror, tokësor dhe detar ndaj Gazës. Ofensiva izraelite shkatërroi pjesë të tëra të Gazës dhe la të vrarë 21,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që udhëhequr nga Hamasi.

Ushtria izraelite ka njoftuar se 167 ushtarë të saj janë vrarë.

Forcat izraelite konfiskojnë miliona

Në Bregun Perëndimor, ushtria izraelite njoftoi se ka kryer bastisje të martën ndaj njerëzve që dyshohet se ndihmuan të financojnë Hamasin. Sipas një deklarate të ushtrisë izraelite, 21 persona janë arrestuar dhe dhjetëra miliona shekelë (valuta izraelite) janë konfiskuar në operacionin e zhvilluar në Bregun Perëndimor.

Forcat izraelite po ashtu kanë kryer sulm ajror në qytetin e Xheninit dhe forcat izraelite kanë qëlluar palestinezë si kundërpërgjigje ndaj atyre që ushtria izraelite thotë se qëlluan me armë zjarri ushtarët e saj.

Sulmi në Bregun Perëndimor është operacioni i fundit në një mori veprimesh që Izraeli i ndërmori atje, për të cilat thonë se janë veprime për t’iu kundërpërgjigjur aktiviteteve terroriste.

Zyra e OKB-së për të drejta të njeriut publikoi një raport të enjten duke theksuar se situata e të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor është “përshkallëzuar me shpejtësi” nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit me 7 tetor.

Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejta të Njeriut tha se ka verifikuar vdekjet e 300 palestinezëve në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori, prej të cilëve 291 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite, tetë nga kolonët izraelitë dhe një ose nga ushtria izraelite ose nga kolonët.

Sipas raportit, shumica janë vrarë gjatë përleshjeve ndërmjet palestinezëve dhe trupave izraelite, përfshirë në protesta dhe gjatë operacioneve që ushtria izraelite ndërmori në qytete palestineze.

“Përdorimi i taktikave ushtarake dhe armëve në kontekstin e vendosjes së rendit dhe ligjit, përdorimi i forcës së panevojshme ose të tepruar dhe zbatimi i kufizimeve të shumta, arbitrare dhe diskriminuese të lëvizjes ndaj palestinezëve janë jashtëzakonisht problematike,” deklaroi komisioneri i OKB-së Volker Turk.

Ai i bëri thirrje Izraelit të ndërmarrë veprime për të ndalur dhunën e kolonëve dhe për të hetuar incidentet e dhunshme të kolonëve dhe ushtrisë izraelite.

Luftanija rrëzon dronin, raketën

Në Detin e Kuq të enjten, luftanija amerikane USS Mason rrëzoi një dron dhe një raketë me rreze të gjatë veprimi kundër anijes për të cilën Pentagoni tha se ishte hedhur nga rebelët Houthi në Jemen. Gjatë kohës së sulmit, 18 anije ishin në atë pjesë, por nuk u raportua për dëme apo të lënduar, njoftoi Komanda Qendrore amerikane në platformën X.