Delegacioni i Al Hilal në Paris, Messi shumë pranë Arabisë Saudite

Drejtuesit e Al Hilal kanë udhëtuar në Paris për të nënshkruar shtatë herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messi, në atë që është deri tani kontrata më e madhe e të gjitha kohërave, thanë për AFP dy burime të njohura me këtë çështje.

Delegacioni saudit planifikon të takohet me babanë dhe agjentin e futbollistit, Jorge Messi, me qëllim që të nënshkruajë sa më shpejt me yllin argjentinas, thanë burimet me njohuri për marrëveshjen.

Lamtumira e Messit me Paris Saint-Germain në pronësi të Katarit është konfirmuar nga klubi.

“Ka një delegacion saudit në Paris me një qëllim: të kthehet me miratimin zyrtar të Messit për ofertën e tyre”, tha një burim pranë klubit.

Një tjetër zyrtar afër negociatave tha: “Nëse gjithçka shkon mirë, Messi do të nënshkruajë kontratën e tij të re dhe Al Hilal do ta shpallë fundjavën e ardhshme”.

Kapiteni i kampionëve të botës në Katar ishte gjithashtu një objektiv i Inter Miami të David Beckham, me Barcelonën që ëndërronte rikthimin e tij.

Por tani, zgjedhja e “pleshtit” duket e favorshme për Arabinë Saudite, e cila po përpiqet të përmirësojë imazhin e saj dhe të tërheqë turistë dhe investime, e për ta bërë këtë po përdor edhe “automjetin” e sportit.

Muajt e fundit ka pasur ardhjen e Cristiano Ronaldos në Al Nasr, ndërsa dje kanali televiziv shtetëror i Arabisë Saudite raportoi se Karim Benzema, zyrtarisht jashtë Real Madridit që nga mesdita e së dielës, tashmë ka nënshkruar me Al Itihad, me bazë në Jeddah.

Madje, presidenti i ekipit kampion të Arabisë Saudite dhe zëvendësi i tij ishin në kryeqytetin spanjoll për të nënshkruar me francezin, i cili besohet se merr më shumë se 100 milionë euro në vit.


Shtuar 5.06.2023 10:45