Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me përdorimin e armëve në hyrje të rrugës së “Komunës së Parisit” pasditen e djeshme në Tiranë.
I plagosur me pesë plumba në këmbë mbeti 45-vjeçari Lorenc Kosta, ndërsa autori është efektivi i policisë Erion Goxhara, i cili vijon të jetë ende në arrati edhe pse Policia e Shtetit ka vendosur një shumë prej 10 mijë eurosh për këdo që sjell informacion të vlefshëm për arrestimin e tij.
Ndërkaq Ora News” ka siguruar videon filmike të momentit të ngjarjes. Në pamjet e fokusuara nga kamerat e një lokali përballë vendit të ngjarjes shihet që Goxhara i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë të zezë dhe me kapele, i afrohet me shpejtësi Kostës dhe pa shkëmbyer asnjë fjalë nxjerr armën dhe qëllon drejt tij.
10 mije euro shperblim
Efektivi Erjon Goxhara, që plagosi inxhinierin e ERE-s në zonën e Komunës së Parisit në Tiranës, është ende në kërkim.
Policia ka vendosur në dispozicion 10 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion që mund të çojë në kapjen e efektivit.
Dy akuza janë ngritur ndaj efektivit të Drejtorisë së Kufirit në Laprakë, “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Blutë e Tiranës ende nuk e kanë të qartë se me çfarë arme ka qëlluar polici, me atë të shërbimit, apo një armë tjetër që e ka pasur në përdorim pa leje. Efektivi dyshohet se fshihet në periferi të Tiranës, në zonën e Dajtit, ku janë përqendruar edhe kërkimet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të 19 gushtit 2024. Efektivi 46-vjeçar ka vepruar me gjakftohtësi për të plagosur Lorenc Kostën.
Policia tha zyrtarisht se plagosja ka ndodhur për ‘motive të dobëta’, por burime thanë se ka dyshime që 45-vjeçari kishte lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e efektivit, megjithatë kjo pistë nuk është e konfirmuar.
Lorenc Kosta ka qenë duke ecur në këmbë në afërsi të kompleksit ‘Kika2’, ndërsa efektivi i policisë ka qenë me makinë.
Efektivi ka ndaluar dhe e ka qëlluar duke e lënë të plagosur. Pas kësaj i ka bërë foto të plagosuri, i cili ishte i shtrirë në trotuar dhe i mbuluar me gjak.
Pas ngjarjes së rëndë, Goxhara është larguar me mjetin e tij në drejtim të banesës së tij, ka marrë një çantë me vete dhe menjëherë është larguar. Dyshohet se ai është larguar drejt Dajtit, ku edhe janë përqendruar kërkimet e policisë.