Gjykata Kushtetuese ka prezantuar sot Raportin Vjetor 2025, përmes së cilit u theksua një rritje të ndjeshme e kërkesave në krahasim me 2024.
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, kryetarja Fiona Papajorgji e cilësoi 2025 periudhë të rëndësishme në konsolidimin e jurisprudencës kushtetuese.
“Numri në rritje i kërkesave është vlerësuar si shprehje e rritjes së besimit të publikut në garancitë e drejtësisë kushtetuese, si dhe si afirmim i rolit të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut”, tha ajo.
Referuar të dhënave të publikuara mësohet se Gjykata ka trajtuar në total 605 çështje, nga të cilat 501 ishin kërkesa të reja dhe 104 të mbartura. Në krahasim me 2024, numri i kërkesave mësohet se është rritur me17%.
Në total mësohet se Gjykata brenda vitit ka dhënë 429 vendime, nga të cilat 85 ishin përfundimtare dhe përbënin rreth 20% të totalit, ndërsa pjesa tjetër prej 344 vendimesh (80%) ishin moskalime.
Nga vendimet përfundimtare, 33 janë me pranim të pjesshëm, 28 me pranim të plotë, 23 me rrëzim dhe vetëm një rast u pushua.
Ndërsa rreth 97% e kërkesave u paraqitën nga individë, e vetëm 3% nga subjekte të tjera si organizata, deputetë, gjykata, Presidenti apo parti politike.
75% lidhen me kundërshtimin e vendimeve të gjykatave të zakonshme, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me kushtetutshmërinë e ligjeve, të drejtat themelore, konfliktet e kompetencave dhe aktet e pushtetit publik.
