Kjo është 35-vjeçarja, Nevila Pjetri, e cila u vra të dielën në Itali. Mediat italiane publikuan foton e të resë shqiptare, trupi i së cilës u gjet gjysmë i zhveshur në shtratin e lumit Parmignola në Sarzara.
Shqiptarja u dhunua dhe më pas u qëllua me një plumb pas koke. Sipas hetimeve paraprake dyshimet e para janë që ngjarja të ketë lidhje me botën e prostitucionit. Mendohet që vrasja ka ndodhur diku tjetër dhe më pas trupi i 35-vjeçares u hodh në vendin ku u gjet.
Jo shumë larg skenës së krimit u gjet makina e viktimës. Po ashtu, autoritetet janë vënë në kërkim të një makine, në të cilën disa dëshmitarë thonë, se ka hipur gjatë orëve të vona të natës, Nevila Pjetri.
Pjetri kishte dëmtime në fytyrë, gërvishtje në krahë, ishte gjysmë e zhveshur dhe e mbuluar në gjak. Por vrasësi ishte siguruar që të mos linte asgjë gjurmë në vendin e krimit. Deri më tani nuk ka asnjë shenjë që ajo të jetë përpjekur të mbrohej. As rrobat e humbura të saj, çanta e dorës apo dokumentet e viktimës nuk janë gjetur.
Sipas hetimeve, Pjetri ishte martuar me një shqiptar para një viti. Ata nuk kishin fëmijë. Bashkëshorti i saj është kopshtar dhe banonin së bashku në një zonë në Massa. Sipas karabinierëve ai nuk është i dyshuar për këtë ngjarje të rëndë.