Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me dakordësinë që dha për ligjin që rrit pagën e tij, deputetëve dhe ministrave, dhe administratës.
I pyetur nga gazetarët, Begaj tha se nuk ka dhënë menjëherë dakordësinë për rritjen e pagave por ka marrë ditët që i ka dhënë Kushtetuta për ta vlerësuar si duhet me ekspertët e ekonomisë.
Presidenti shtoi se nuk ka dhënë miratim paraprak për ligjin, por dakordësi që ai të hynte në fuqi në momentin e dekretimit.
“Në fakt nuk shkon me frymën e kësaj konference. Presidenti në fakt zbaton kushtetutën dhe ligjet e vendit. Dua të sqaroj që nuk ishte një vendim i deputetëve, Ishte një ligj i votuar me shumicë dhe konsensus.
Ligji në fjalë bëhet për të rregulluar piramidën e pagave në vend, në administratën e lartë publike dhe pagat e magjistratëve. Përmendët që u lexua dakordësia e presidentit. Ligji studiohet, vlerësohet nga deputetët. Presidenti ka dhënë pëlqimin paraprak që ligji të hyjë në fuqi pas dekretimit por jo përmbajtjen e ligjit.
Presidenti ka marrë kohën e vet në momentin që erdhi. Kam marrë ditët që më ka dhënë kushtetuta për ta vlerësuar si duhet ligjin nga ekspertët e ekonomisë. Nuk është dhënë miratimi paraprak për ligjin. Është dhënë dakordësia për hyrjen në fuqi të ligjit në momentin e dekretimit”, tha Begaj.