Dekorimi i pesë punonjësve për përballjen me flakët/ Ilir Proda: Janë fytyra e vërtetë e Policisë së Shtetit

 

Këtë të mërkurë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, shprehu mirënjohjen për pesë efektivët e policisë të cilët u dekoruan nga Kryeministri Edi Rama, për angazhimin e tyre në përballje me situatën nga zjarret në vend gjatë verës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Proda shkruan se ndihet “krenar për sakrificën, përgjegjshmërinë, guximin dhe humanizmin që treguan në mbrojtje të jetës së qytetarëve”.

“Këta pesë punonjës policie, të dekoruar nga Kryeministri i vendit, përballë flakëve të zjarreve treguan guxim, sakrificë dhe përkushtim deri në rrezikimin e jetës së tyre”, shkruan Proda.

Proda nënvizoi se ata janë fytyra e vërtetë e Policisë së Shtetit, vlera më e mirë në shërbim të qytetarëve dhe shembulli që frymëzon e na bën krenarë të gjithëve.

“Krahas tyre, mijëra burra e gra, djem e vajza të Policisë së Shtetit sakrifikojnë përditë në përmbushje të misionit sa të vështirë, aq edhe fisnik: mbrojtjen e jetës me jetën e tyre”, u shpreh Proda.


Shtuar 27.08.2025 14:07