Deklaratat e Ramës për AKSHI-n, Klevis Balliu: Mori në mbrojtje një aferë kriminale, është cënuar siguria e vendit

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu reagoi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili mori në mbrojtje drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj. Në një video mesazh në “Facebook”, Balliu thotë se “Rama nuk mbrojti AKSHI-n, por veten e tij”.

Sipas Balliut, Rama “justifikoi një aferë” ku siç tha ai, “baxhanaku i tij ka përfituar rreth 800 pagesa nga buxheti i shtetit, një skemë që ka cenuar sigurinë kombëtare dhe ka dorëzuar të dhënat personale të qytetarëve në duart e krimit të organizuar”.

Sipas Balliut, “Ergys Agasi është masha personale e Ramës. AKSHI, Agasi, Balluku janë vetë Rama”.

“Në pseudo-podcastin e sotëm, Edi Rama mbrojti korrupsionin më të madh në historinë e vendit. Ai justifikoi një aferë ku baxhanaku i tij ka përfituar rreth 800 pagesa nga buxheti i shtetit, një skemë që ka cenuar sigurinë kombëtare dhe ka dorëzuar të dhënat personale të qytetarëve në duart e krimit të organizuar.

Rama mbrojti një akt kriminal shtetëror: rrëmbimin dhe torturimin e një biznesmeni për ta detyruar të tërhiqej nga tenderi, që më pas t’i jepej baxhanakut të pushtetit. Kjo nuk është propagandë, por mafie shtetërore.

Ai e bëri këtë sepse Ergys Agasi është masha e tij personale. Sepse AKSHI, Agasi, Balluku janë vetë Rama.

Pa vendosur para drejtësisë Edi Ramën, nuk ka shpëtim për këtë vend. Çdo zgjidhje tjetër është shërbim ndaj narkoshtetit”, tha deputeti i PD.


Shtuar 28.12.2025 14:42