Degradimi i pandalshëm i Rusisë: Nga fuqia dikur e madhe tek e “sëmura e Euroazisë”

Nga Holman W.Jenkins, Jr. “Wall Street Journal”

Përktheu: Alket Goce- Albeu.com

Historiani revizionist i Luftës së Dytë Botërore, Phillips O’Brien, ka qenë aktiv kohët e fundit në profilin e tij në Twitter, duke mbështetur tezën e artikuluar në librin e tij të vitit 2015 “Si u fitua lufta”. Ai arrin në përfundimin se në dallim nga sa mendojnë shumica e historianëve kontributi i Rusisë në fitoren e Luftës së Dytë Botërore ishte relativisht i vogël.

Sepse sipas tij armët dhe materialet gjermane të konsumuara në betejat e frontin lindor ishin modeste po të krahasohen me ato të shkatërruara nga sulmet ajrore dhe detare perëndimore kundër kapacitetit prodhues të Gjermanisë.

Madje ai hedh poshtë edhe pretendimin e kahershëm se bombardimet aleate ishin shumë efektive, sepse prodhimi i nazistëve vazhdoi që të rritej për një fare kohe. O’Brien thotë se ajo që ka më shumë rëndësi është efekti mbi prodhimin e mundshëm.

Sipas të dhënave që jep zotit O’Brien, pjesa më e madhe e burimeve shkoi tek Luftwaffe ( Forca Ajrore Gjermane) dhe marina gjermane edhe në kulmin e fushatës tokësore në frontin lindor. Sot Rusia zotëron vetëm një pjesë të vogël të kapacitetit prodhues të NATO-s, dhe nuk do të jetë në gjendje që të ngushtojë hendekun, për të mos folur për skenarin kur mund të jetë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë ushtarak të aleancës.

Megjithatë, një ngjashmëri e madhe me Hitlerin është zhdukja e çdo lloj perspektive përfitimi
nga lufta që ka nisur Putini në Ukrainë vitin e kaluar, e cila tani ofron vetëm dallime midis humbjes dhe katastrofës. Lufta vazhdon vetëm për ta kursyer Putinin nga poshtërimi i hapur për shkak të pranimit të një të vërtete, e cila është e qartë për 100 për qind të njerëzve përreth tij.

Dhe kjo na çon tek çështja e negociatave, e lënë paksa pezull që nga shkëmbimi i një të burgosuri rus me një yll të basketbollit amerikan në fillim të dhjetorit 2022. Vladimir Putin ka dëshpërimisht nevojë për bisedime që të mund të dalë nga rrëmuja që krijoi vetë.

Ai priti shumë gjatë dhe tani duket se asgjë nuk mund ta ndryshojë seriozisht rezultatin.
Po ashtu, nëse do të ishit president i Ukrainës dhe do të mund të luanit me guxim një lojë delikate, mund të nënshkruani një armëpushim që e pranon tani për tani një prani ruse në tokën ukrainase.

Kjo sepse, që nga momenti që ndalojnë të shtënat, ekonomia, kapaciteti ushtarak, dhe kohezioni juaj social shkojnë lart e më lart, të nxitura jo vetëm nga një ndjenjë e fuqishme
e fitores dhe arritjeve kombëtare, por nga një derdhje e ndihmave masive të SHBA-së dhe Evropës që kërkon të ndajë fitoren dhe që shpreh mirënjohjen për paqen.

Asgjë aq e mirë nuk do të ndodhë për Putinin kur të ndalin luftimet. Është e qartë se fuqia relative e të dy vendeve është në një trajektore të përhershme në dëm të Rusisë. Sanksionet perëndimore do të hiqen shumë ngadalë, në mos nuk do të hiqen fare.

Udhëheqësit mizorë të Kinës nuk do ta nxitojnë ta ndihmojnë fqinjin e tyre. Ata do të ngurojnë të derdhin burime të mëdha për të sponsorizuar ri-ngritjen e Rusisë. Ndërkohë është e sigurt se do të gjejnë një mënyrë, për të përfituar nga dobësia e saj.

Përfundimi i luftës do të ishte një bekim për popullin rus dhe buxhetin e Putinit, por po ashtu do të kristalizonte statusin e Rusisë si një fuqi e dorës së dytë. Marrëdhëniet e Rusisë me Ukrainën do të përmbyseshin brenda natës.

Nevojtarja do të ishte Rusia. Ajo do të lutej për lehtësimin e sanksioneve. E njëjta gjë vlen edhe për marrëdhëniet e Moskës me shtetet e tjera përgjatë periferisë së saj. Do të theksohen akoma më shumë dobësitë e brendshme të Rusisë: popullsia e saj e prapambetur dhe në tkurrje, shtrirja e saj e ngathët gjeografike, sundimi i saj i lëkundshëm perandorak mbi popullsitë e largëta dhe të ndryshme që nuk kanë arsye ta duan Moskën.

Federata Ruse do të shihej sërish përmes prizmit të ngritjes kombëtare të Ukrainës, si një federatë që vetëm po e pengon zhvillimin e popullit të saj dhe që i pengon rusët që të kenë marrëdhënie të begata me Perëndimin. Ironitë nuk mund t’i shpëtojnë askujt.

Nëse Putin do të ishte mjaftuar vetëm me mobilizimin e ushtrisë së tij në kufijtë e Ukrainës dhe të mos e pushtonte këtë të fundit, ne mund të mendonim ende për Rusinë si një fuqi të madhe dhe me një ushtri konvencionale të frikshme. Argumenti i fajësimit të NATO-s mund të kishte ende një peshë.

Tani, nëse NATO e provokoi disi këtë luftën, ajo vetëm sa e provokoi Putinin të ndërmerrte një akt vetë-shkatërrues, të cilin duket se po e pranon në mënyrën të nënkuptuar. Të gjitha justifikimet e tij të njohura dhe kontradiktore kanë kaluar në plan të dytë si këmbëngulja se ai nuk kishte “zgjidhje”, sepse nëse kishte një zgjedhje ai bëri në fakt një zgjedhje të tmerrshme.

Partnerët e tij më të zhurmshëm në shtëpi, si Yevgeny Prigozhin i Wagner Group, po e shohin qartë humnerën që po hapet nën këmbët e tyre, fundin e Moskës perandorake. Se si mund të vazhdojë saktësisht kjo luftë kjo gjë nuk mund të thuhet me siguri, por bota tani e di se duhet të menaxhojë rënien e Rusisë nga fuqia e madhe në “të sëmurën e Euroazisë”.

Në të gjitha këto, një kartë e egër nuk është Kina aq shumë sa Gjermania, e cila kuptohet që ka frikë nga kaosi. Rusia dhe simpatizantët e saj në Perëndim tashmë janë duke i shmangur sanksionet kudo që ne të tjerët nuk po i shohim, si p.sh. lejimi i eksporteve ruse të qymyrit të Rusisë që po rikthehen në nivelin e tyre më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

E megjithatë realiteti psikologjik i humbjes së Rusisë, duket se do të jetë aq mbresëlënës saqë edhe Gjermania do ta ketë të vështirë të gjejë një mjet për të zbutur rënien e Rusisë aq sa do të donin disa./Albeu.com/