“Defender Europe 25”, Kurti: Ushtria amerikane vendos komandën e Divizionit 28 në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në vendin tonë ka nisur zyrtarisht ushtrimi më i madh ushtarak i zhvilluar ndonjëherë nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kontinentin evropian – Defender Europe 25.

Ky ushtrim përfshin 25 mijë ushtarakë nga 29 shtete të NATO-s dhe vende partnere, të cilët janë të shpërndarë në tri zona gjeografike të Evropës: veriore, qendrore dhe juglindore. Kosova bën pjesë në zonën e Evropës juglindore, ku do të angazhohen rreth 12 mijë trupa nga 19 vende.

“Republika e Kosovës është një nga 18 vendet nikoqire dhe do të përfaqësohet me rreth 1.000 trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ushtrimet do të zhvillohen në territorin tonë, si dhe në Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut”, ka bërë të ditur Kurti.

Ai ka theksuar rëndësinë e veçantë të vendimit të ushtrisë amerikane për të vendosur komandën e Divizionit 28 të këmbësorisë në bazën e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, e cila do të udhëheqë operacionet në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Në Zonën e Trajnimit në Babaj të Bokës, përveç njësive të FSK-së, do të marrin pjesë edhe forca nga Garda Kombëtare e IOWA-s, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Ushtrimet në Kosovë do të zgjasin deri më 9 qershor dhe do të përfshijnë operacione luftarake sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit, përfshirë qitje me zjarr të vërtetë me armatim modern të siguruar nga Qeveria e Kosovës.

“Ky është një moment kyç për rritjen e bashkëpunimit ushtarak me partnerët tanë dhe një dëshmi e besimit që SHBA dhe aleatët kanë në institucionet e Kosovës dhe në profesionalizmin e ushtrisë sonë”, përfundoi Kurti.


Shtuar 26.05.2025 16:38