Dëbora mbulon zonat malore të juglindjes, ja si paraqitet gjendja e rrugëve

Juglindja e vendit është përfshirë nga reshjet e para të dëborës këtë dimër, të cilat kanë mbuluar zonat e thella malore në lartësi mbi 1100 metra. Dëbora ka sjellë një panoramë të bardhë dhe temperatura të ulëta, por deri më tani nuk janë raportuar probleme serioze.

Në fshatin Shtyllë, trashësia e dëborës ka arritur deri në 5 cm, ndërsa në majën e Mashkullores ka pasur reshje më të dendura, ku trashësia varion nga 10 deri në 15 cm. Po ashtu, 5 cm dëborë është regjistruar edhe në majën e Bigllës. Pavarësisht reshjeve, situata e qarkullimit rrugor mbetet normale. Rrugët që lidhin fshatrat turistikë të Voskopoja dhe Dardha janë plotësisht të kalueshme, pa nevojën për ndërhyrje emergjente apo përdorimin e zinxhirëve. Autoritetet lokale kanë monitoruar situatën dhe kanë siguruar se nuk ka pasur bllokime apo vështirësi në qarkullim.

Nga ana tjetër, furnizimi me energji elektrike nuk është prekur nga reshjet. Burime zyrtare kanë bërë me dije se nuk janë raportuar ndërprerje energjie në asnjë prej zonave të prekura nga dëbora, një tregues pozitiv për banorët e zonave malore. Meteorologët parashikojnë se reshjet mund të vijojnë në zonat e larta malore gjatë ditëve në vijim, ndërsa temperaturat pritet të ulen më tej. Banorët dhe vizitorët në këto zona këshillohen të tregohen të kujdesshëm, sidomos në mëngjeset e ftohta kur mund të ketë ngrica.

Panorama e bardhë që ka mbuluar këto zona i shton bukurinë natyrale destinacioneve turistike si Voskopoja dhe Dardha, të cilat pritet të tërheqin më shumë vizitorë gjatë festave që po afrohen.


Shtuar 21.12.2024 18:48