Debati për RTSH, Agron Shehaj propozon mbylljen, gazetari Lutfi Dervishi thotë se duhet reformuar

RTSH është rikthyer në qendër të vëmendjes së debatit publik në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka propozuar mbylljen e RTSH-së, duke e cilësuar si një institucion të panevojshëm, të shtrenjtë dhe pa ndikim real në jetën publike.

“Nuk e ndjek askush, nuk e sheh askush. Megjithatë, ky televizion shpenzon 30 milionë euro në vit nga taksat tuaja. Vetëm një shembull nga shumë të tjerë. Kështu i kursej unë Shqipërisë 1 miliard euro në vit, duke ndalur abuzimin, jo shërbimin; duke larguar parazitët, jo mësuesit e mjekët,” deklaroi Shehaj, duke e përfshirë këtë propozim në planin e tij më të gjerë për reduktimin e shpenzimeve publike dhe të asaj që ai e quan “administratë parazitare”.

Por ndaj kësaj qasjeje radikale ka reaguar gazetari Lutfi Dervishi, i cili është shprehur publikisht kundër mbylljes së televizionit publik. Në një replikë publike, ai e quajti këtë ide “të vjetër sa disa nga programet e RTSH-së”, dhe e krahasoi me një tendencë të zakonshme në shoqëri: “Kur s’di ç’të bësh, preje!”

“Sot më shumë se kurrë, ka nevojë për një ekran që nuk e mat suksesin me klikime, që nuk i shërben partive, por publikut, dhe që nuk e sheh shikuesin si konsumator meme-sh,” shkruan Dervishi. Ai pranon që RTSH ka probleme serioze dhe ka nevojë për pastrim, por thekson se sfida nuk është mbyllja, por ringritja e tij si një media publike me standarde të larta, që ofron informacion dhe kulturë në një ambient gjithnjë e më të dominuar nga zhurma e banalitetit.

Agron Shehaj nga ana tjetër thekson se vendi ka nevojë për ndarje të prerë me institucionet që nuk prodhojnë vlerë: “Këto 30 milionë euro në vit mund të shkojnë për shëndetësi, arsim ose infrastrukturë. RTSH nuk i shërben askujt përveç një grushti njerëzish që jetojnë mbi buxhetin e shtetit.”

Ndërsa Dervishi kundërshton prerjen me thikë: “Mbyllja është sport popullor, por ndërtimi i një media publike që ngre nivelin informues e kulturor është një sport elitar – jo për shkak të arrogancës, por nga dëshira për cilësi në një det mediokriteti.”

Debati, në fakt, prek një temë më të gjerë: çfarë roli duhet të ketë televizioni publik në një shoqëri demokratike? /skyweb.al


Shtuar 9.04.2025 20:36