Debati për Komisionet Parlamentare, Rushaj: Më vjen mirë që PS reflektoi për të zbatuar ligjin

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Alfred Rushaj në një prononcim për mediat ka folur në lidhje me debatit për mbledhjet e Komisioneve Parlamentare, ku mazhornaca i kërkon online ndërsa opozita fizikisht.

Pasi kreu i Grupit Parlmanetar të PS tha se do të dërgojë një kërkesë për të zhvilluar mbledhjet fizikisht duke respektuar masat anti-Covid, Rushaj tha se i vinte mirë që PS kishte reflektuar.

“Më vjen mirë që pati një kthesë në ligjshmëri dhe reflektim për të zbatuar ligjin dhe rregulloren nga drejtuesit e Partisë Socialiste.

Por që t’iu përgjigjem pyetjes tuaj, në fakt nuk e konsideroj si betejë të fituar. Ata kanë rënë dakord që të zbatojnë ligjin.

Është kaq e thjeshtë dhe nuk do të doja që të drejtën që qytetarët shqiptarë kanë në bazë të rregullores dhe Kushtetutës për transparencë, për të dëgjuar përfaqësuesit e tyre politikë në Kuvend teksa diskutojnë për projektligje, për nismat që do të prekin jetën e tyre, të quhet si fitore.

Përkundrazi, është diçka që drejtuesit e PS duhet ta bënin që në fillim dhe të mos futeshin fare këtij debati.

Ju kujtoj që dy ditët e fundit, dje dhe sot, ka pasur zhvillime të paligjshme, tërësisht në kundërshtim me rregulloren dhe Kushtetutën, të disa komisioneve parlamentare, të cilat përveçse frikës për debat, përveçse përpjekjes për t’iu shmangur debatit, përpjekjes që zëri i opozitës të mos dëgjohet, unë nuk shoh qe te ketë asnjë qëllim tjetër përveçse kësaj’, tha Rushaj./albeu.com


Shtuar 29.09.2021 12:27