Debati në gjyq/ Mos kam marrë porosi nga Braçe për të të vrarë ty? Arjan Ndoj përplaset me Plarent Dervishajn: Je trim ti…

Ditën e sotme, ish-prokurori Arjan Ndoja, është përballur në Gjykatën e Posaçme me Plarent Dervishajn, i akuzuar për atentatin ndaj tij, të ndodhur disa vite më parë.

Dervishaj e pyet Ndojën nëse ka informacione që ka qenë ai që e ka dhënë porosinë për ta vrarë.

Ndërkohë Ndoja i thotë me se po e shikon në sy për të zbuluar të vërtetën, teksa me ironi shton ‘je trim i madh ti’.

Nga ana tjetër, Dervishaj i thotë se nëse do të mendonte se Ndoja do të kishte gisht në atentatin ndaj tij, të ndodhur 4 muaj para se të ndodhte atentati ndaj ish-prokurorit, ai nuk do e kishte falur deputetin e zgjedhur të PD-së.

Kujtojmë se më herët Ndoja deklaroi se para se të ndodhte atentati ndaj tij, ai kishte shqetësime vetëm nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe ish-zv.kryeministrit Erion Braçe.

Plarent Dervishaj përballë Arjan Ndojës:

Dervishaj: I vetmi konflikt që ti ke pasur thua që ka qenë ai me kryeminstrin dhe ish zv. Kryeministrin, Erjon Braçe. Sipas teje, nuk ka arsye, nuk njihemi, nuk kemi konflikte.

A ke informacione ti, që unë kam dhënë porosinë për të të vrarë? Mos e kam marrë porosinë nga Erjon Braçe?

Ndoj: Kam dëgjuar shumë për ty, edhe nga shtypi. Por këto të dëgjuarat i marr me rezerva. Unë po të shoh në sy.

Plarent Dervishaj: Në sy të shoh dhe unë.

Ndoj: E shoh, je trim ti.

Plarent Dervishaj: Ti kujton se po të kesh gisht ti tek atentati im, do të ta fal?

Ndoj: Cilin atentat?

Plarent Dervishaj: Atentatin tim, ka ndodhur nja 4 muaj para teje.

Ndoj: Unë kam ardhur për atentatin tim, jo tëndin.


Shtuar 27.06.2025 13:42