Kryetari i parlamentit, Niko Peleshi, përjashton nga seanca kreun e grupit të PD-së, deputetin Gazment Bardhi për ndërprerje të vazhdueshme të seancës dhe fjalës si dhe për fyerjen “je i paaftë”.
Gjithashtu vërejtje mori edhe deputeti tjetër, Klevis balliu.
Kryetari i parlamentit, Niko Peleshi, përjashton nga seanca kreun e grupit të PD-së, deputetin Gazment Bardhi për ndërprerje të vazhdueshme të seancës dhe fjalës si dhe për fyerjen “je i paaftë”.
Gjithashtu vërejtje mori edhe deputeti tjetër, Klevis Balliu.
Bardhi mbajti fjalën e tij duke kërkuar zbatimin e rregullores, ku deputetët të mbanin fjalën për të shpjeguar pyetjet që kishin bërë ndaj Komisionerit për Mbrojtjen ndaj Diskriminimit, Robert Gajda. Por teksa ky i fundi po mbante fjalën, Bardhi këmbënguli, fillimisht ndaj nënkryetares Spahiu dhe më tej ndaj kryetarit Peleshi që erdhi më vonë për të marrë drejtimin.
“Zonja kryetare fjalën tuaj të parë, me gjithë respektin, po e filloni me shkelje. Jeni për herë të parë kryetare, por me një eksperiencë të gjatë si deputete, ju e dini rregulloren e Kuvendit, ku bëhen pyetjet me listë dhe pika dhe më pas Komisioneri do japë përgjigje për secilën prej tyre. Pyetjet bëhen me shkrim, të përgatitet për përgjigjen, por kjo nuk i heq të drejtën deputetit të mos shpjegojë pse e bën pyetjen. He në këtë mënyrë, kështu e ka tradita, 5 minuta deputeti të mbajë fjalën për pyetjet që kanë depozituar. Kjo është procedura parlamentare prej vitesh”, tha deputeti.
Por Peleshi iu përgjigj:
“Kam rregulloren para, nuk kam për ta lejuar që të prishni seancat, nuk më lejon rregullorja t’ua jap këtë hapësirë. S’po ju mohohen përgjigjet e pyetjeve, do lexohen dhe do përgjigjet. Zoti Gajda vijoni, përgjigjuni”.
Por komisioneri Gajda tha se nuk mund të vazhdonte në ato kushte të përgjigjej për pyetjet, teksa Bardhi vijonte të fliste nga vendi. Peleshi i kujtoi se kishte detyrim pas raportit t’i përgjigjej pyetjeve dhe replikat vijuan deri në tensione dhe përfshirjen e deputetëve të tjerë.
Në këtë moment Bardhi shpërtheu ndaj Peleshit:
“Je i paaftë, kaq i paaftë je…”, tha ai duke i kujtuar se po shkelte rregulloren dhe Kushtetutën.
Në këto momente kryeparlamentari njoftoi masën:
“Zoti Bardhi, në bazë rregullores, ju heq drejtën e fjalës për të gjithë ditën e sotme. Përjashtoheni nga seanca, po marr masën e katërt ndaj jush”.
Por Bardhi refuzoi të dilte nga salla.
“Nuk përjashtohem, fare nuk përjashtohem…”, tha ai mes të tjerash.
Në këtë moment ka ndërhyrë edhe deputeti Balliu, duke ndërprerë fjalën e shkaktuar debat të forta bashkë me Bardhin.