Debat për akcizën e birrës në PS, Sinaj kundërshton rritjen, Balla: I lamë mjaftueshëm kohë të fuqizohej

ABC ka zbardhur debatin e mbyllur brenda grupit të Partisë Socialiste lidhur me buxhetin.

Gazetarja Esiona Konomi pohon për Abc se deputeti Vullnet Sinaj është shprehur kundër rritjes së akcizës për birrën vendase.

Sinaj: Ata janë prodhues të vegjël, nuk mund t’i taksojmë njësoj si fabrikat ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla mendon se i kanë lënë mjaftueshëm kohë birrës shqiptare që të fuqizohet. Sipas tij ka ardhur koha që të taksohet njësoj si prodhuesit e huaj.

Balla: I lamë disa vite kohë birrës vendase që të fuqizohej, tani do të taksohet si të huajt.

Qeveria ka propozuar rritjen e akcizës së birrës. Me paketën e re fiskale unifikohet akciza për prodhuesit dhe importuesit nën dhe mbi 200,000 Hl në masën 710 lekë për Hl. Me ligjin aktual, akciza për prodhuesit dhe importuesit me sasi më të vogël se 200,000 HL në vit është 360 lekë/HL dhe për fashën mbi 200, 000 HL në vit është 710 lekë/Hl.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka pohuar se heqja e fashës së akcizës është në përputhje me direktivën e BE-së, ndërsa niveli i ri i propozuar është 3-4 herë më i ulët se ne vendet e BE-së.

“Ne propozojmë akcizë për birrën 0,002 euro për shishe që është më e ulët se vendet e BE-së, pra është më e vogël se çdo vend ku funksionon direktiva. Nëse niveli i akcizës do të ishte në nivelet e vendeve të BE-së do të ishte 3 – 4 fish më i lartë se niveli i propozuar, duke rritur koston më të madhe. Propozimi ynë dyfishon nivelin e akcizës.

Me ligjin aktual, akciza e birrës është 1,2 lekë për litër. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve fiskale do të jetë 2,3 lekë për litër. Pra shtohet kostoja për shishe që do të pasqyrohet në çmim me 1,1 lekë për shishë. Kosto që nuk është e parashikuar në planet prodhuese të biznesit, por është më e ulët se vendet e BE-së”, pohoi Ibrahimaj më herët.

Ministrja Ibrahimaj tha se diferencimi është incentivë për të pasur evazion.

Prodhuesit e birrave në vend e kundërshtuan fort këtë nismë, duke paralajmëruar se rrezikohej mbyllja e fabrikave dhe dalja e rreth një mijë punonjësve si të papunë./Abcnews.al/


Shtuar 7.11.2022 11:05