Nga Andrei Kolesnikov “The Moscow Times”
Regjimi i Vladimir Putinit nuk mund të përmirësohet, reformohet, modernizohet, madje as thjesht të “normalizohet”. Ai po çon në shkatërrimin e Rusisë. Nëse ka sistem anti-rus, ai është Putinizmi. Nëse ka një simbol të antipatriotizmit dhe tronditjes së themeleve bazë të kombit, ajo është elita e Putinit.
Është e pamundur të vendoset një shenjë e barabartë mes shtetit dhe popullit rus.
Por Putinizmi po na çon drejt një situate kur një shtet mashtrues i kthen qytetarët e tij në njerëz mashtrues. Askush nuk e di më mirë se sa vetë rusët, se një autokrat i bllokuar në “cepin e ringut” bëhet edhe më i rrezikshëm – për botën, por mbi të gjitha, për qytetarët e Rusisë.
Artileria ruse po godet njerëzit e saj, jo vetëm nga jashtë kufijve të Rusisë në Perëndim, por edhe brenda vendit. Putin e ka vrarë kujtesën historike të kombit rus, që bazohej në kujtesën e shenjtë të fitores së vitit 1945 në Luftën e Madhe Patriotike. Qeveria e Putinit e përdori këtë kujtesë si një mburojë historike.
Por pasi qëlloi mbi Kiev dhe Kharkiv, ajo e humbi edhe atë mburojë morale. Shfrytëzimi i kësaj fitoreje duket shumë cinike sot. Putinizmi e ka humbur bazamentin e tij historik. Ai e ka copëtuar dhe reduktuar kujtesën e Luftës së Madhe në paradigma dhe kërcënime imagjinare, në “de-nazifikimin dhe çmilitarizimin e Ukrainës”.
Ky është një shembull historik mbresëlënës i një regjimi politik që ka zhdukur një pjesë të madhe të themeleve për legjitimitetin e tij historik. Nuk është Ukraina ajo që ka nevojë për “de-nazifikimin” imagjinar që ka trilluar Putin, por është Rusia ajo që ka nevojë për de-stalinizimin e vërtetë.
Dikur nuk u punua seriozisht për të kapërcyer të kaluarën e vështirë, dhe tani kjo e kaluar po e shkatërron kombin rus, ndjenjën e tij për veten, vetë-identifikimin e tij. Ajo që na ka mbetur është mbrojtja, a thua sikur kombi është i rrethuar brenda një kështjelle dhe vuan nga “Sindroma e Stokholmit”, duke hyrë në një marrëdhënie të ngushtë me gardianin e burgut.
Kur një vend që pretendon një rol udhëheqës si një perandori, edhe pse imagjinare, e bombardon veten, dhe perandoria imagjinare zhduket. Një perandori e vërtetë duhet të përdorë fuqinë e butë, dhe jo atë të fortë. Sulmet barbare mbi Kiev ishin shkatërrimi përfundimtar i së drejtës për auto-legjitimitet, në kurriz të kujtimit të Luftës së Madhe Patriotike.
Regjimi nuk kishte kurrë të drejtë që ta bënte këtë. Populli po, por regjimi jo. Goditja “me saktësi të lartë” ndaj monumentit që përkujton Holokaustin në Babi Yar kishte një kuptim simbolik, që nuk kishte asnjë lidhje me “neo-nazizmin”.
Synimi ishte të tregonte se nëse ushtria ruse mund të godiste Babi Yar, mund të godiste me të njëjtën saktësi të madhe edhe Çernobilin. Aleatët e Rusisë janë tani ushtria dhe marina, Eritrea dhe Koreja e Veriut. Në vetëvrasjen politike dhe ekonomike të regjimit, Vladimir Putin e ka katandisur Rusinë në të njëjtin nivel me Korenë e Veriut.
Kjo u bë me pëlqimin e heshtur dhe frikacak të elitave në Moskë. Një fuqi e madhe që u bë anëtare e komuniteteve dhe organizatave ndërkombëtare, një vend që kishte nisur rrugën e tij drejt një ekonomie tregu dhe një kushtetute demokratike, u reduktua në të qenit një paqe-prishës global, dhe më pas një kërcënim për të gjithë botën.
Por ekonomia ruse nuk ekziston jashtë ekonomisë globale. Asnjë ‘zëvendësues i importeve” nuk është i mundur pa komponentë globalë dhe stokun e farës, transportin e kontejnerëve dhe importet teknologjike.
“Zëvendësimi i importit” nuk ekziston në realitet sepse ekonomia e tregut, ashtu si shkenca, nuk ka kombësi dhe mund të funksionojë vetëm si ekonomi botërore. Gjëja e parë që bëri qeveria ruse pas fillimit të “operacionit special” ishte ndalimi i transferimit dhe eksportit të parave, në mënyrë që qytetarët të mos iknin jashtë vendit, por të detyroheshin të ndanin me elitat pasojat shkatërrimtare të vendimeve.
Në këtë mënyrë ata do të detyrohen të shtrëngojnë rripat në shtëpi, dhe jo të lidhin rripat në avionin e fundit që po niset për në Perëndimin e “mallkuar”. Putini donte të bisedonte si i barabartë me liderët botërorë, por tani askush nuk po flet me të.
Ai u dënua në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga 141 vende. Madje edhe “vëllai i madh” i Rusisë, Kina, po e sheh me njëfarë shqetësimi gjendjen ku është katandisur fqinji i tij. Rusët nuk kanë zgjidhje tjetër veçse “të kultivojnë kopshtin e tyre”, pra të ushqehen nga kopshti i tyre. Nuk ka për të pasur asnjë ndihmë nga jashtë. Artileria po godet popullin e vet.