Ish-kapiteni i Anglisë në futboll, David Beckham, është shpallur zyrtarisht ‘Kalorës’ për shërbimet e tij ndaj futbollit dhe shoqërisë britanike. 50-vjeçari, i cili u emërua në listën e nderimeve të ditëlindjes së Mbretit Charles në fillim të këtij viti, u dekorua me titullin ‘Kalorës’ nga Mbreti gjatë një ceremonie në Berkshire të martën, duke pranuar titullin ‘Sir’ (Zotëri).
I lindur në lindje të Londrës, ai luajti një rol në sigurimin e Lojërave Olimpike të vitit 2012 për Londrën.
Ai ka punuar me organizatën e ndihmës humanitare UNICEF që nga viti 2005 dhe një fond u emërua në nder të tij në vitin 2015 për të shënuar një partneritet dhjetë vjeçar midis palëve. Beckham u bë ambasador i Fondacionit të Mbretit në vitin 2024, duke mbështetur programin arsimor të Mbretit Charles dhe përpjekjet për të siguruar që të rinjtë të kenë një kuptim më të mirë të natyrës.
Ai është bashkëpronar i skuadrës së Ligës së Dytë, Salford City, së bashku me ish-shokun e skuadrës te United dhe Anglia, Gary Neville, si dhe është bashkëpronar i skuadrës së MLS, Inter Miami.
Me titullin ‘Sir’ (Zotëri), tanimë edhe bashkëshortja e tij, Victoria Beckham, mund të përdorë titullin ‘Zonjë’.
Çfarë është titulli ‘Sir’?
Duke u shpallur ‘Kalorës’, Beckham i bashkohet një grupi të zgjedhur personalitetesh me arritje të larta nga fusha të ndryshme, duke përfshirë politikën, biznesin, artin dhe sportin. Disa nga individët me profil më të lartë të Britanisë janë shpallur ‘Kalorës’ ose ‘Kalorëse’, si Kryeministri Sir Keir Starmer, Sir Elton John dhe Dame Judi Dench.
Sportistë të famshëm që e kanë marrë këtë nder përfshijnë shtatë herë kampionin e botës në Formula 1, Sir Lewis Hamilton, dy herë kampionin e Wimbledon, Sir Andy Murray dhe vrapuesen, dy herë fituese të medaljes së artë olimpike, Dame Kelly Holmes.
