Datë në qershor, por për veto? Petkov: S’ka negociata pa futjen e bullgarëve në Kushtetutë

Maqedonia duhet të obligohet ta ndryshojë Kushtetutën e saj sa më shpejt që është e mundur me qëllim që t’i fusë bullgarët në Preambulë, e pastaj të miratojë edhe një plan veprimi për mbrojtjen e të drejtave të tyre, për t’i nisur bisedimet aderuese me BE, thuhet në propozimin francez që mbërriti në Sofje. Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, nuk e ka lexuar propozimin, por menjëherë e dërgoi në Kuvendin Popullor.

“Ata duan vazhdimisht të përsërisin teza të caktuara për tradhti kombëtare, teza për lojëra prapa skenave gjatë zgjidhjes së çështjes. Jo. Atë që do ta shihni në ditët në vijim do të jetë përgjigja përfundimtare për këtë çështje. Unë si kryeministër nuk do të marr asnjë zgjidhje, përveç nëse ajo nuk sillet në Parlamentin bullgar dhe unë do ta plotësoj vullnetin e Parlamentit të Bullgarisë. Nëse nuk ka kohë për zgjidhje, atëherë unë do të pres që ajo të sillet”, pohoi Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Ai dje për televizionin kombëtar bullgar tha se javën e ardhshme do të udhëtojë në Bruksel dhe në qoftë se nuk arrihet zgjidhje, këtë do t’ua përcjellë liderëve të BE-së, pa e ndryshuar pozicionin bullgar. Sot Petkovi tha se propozimi i Francës është i mirë, duke pasur parasysh se të dyja palët kanë garanci.

“Hapi i parë për çelje negociatash të Maqedonisë së Veriut me BE, quhet – Konferenca e parë Ndërqeveritare, e cila duhet të fillojë pasi ta ndryshojnë Kushtetutën dhe pasi të ndryshojnë Kushtetutën, Bullgaria të mos mund ta pengojë rrugën e tyre. Kurse atyre u garantohet se ne nuk do të dalim me kusht të ri çdo gjashtë muaj”, theksoi pohoi Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Profesori dhe ish-ambasadori Nano Ruzhin, supozon se në propozimin francez Bullgaria ka luftuar për çështjet të cilat tashmë dihet shumë mirë dhe të cilat i ka kërkuar që në fillim.

“Këtu përballemi me një dilemë. Nëse ai propozim pranohet, Maqedonia e Veriut do të marrë datë për nisje të negociatave, por nëse ai propozim shkon si propozim i BE-së, në kuptimin e përmbushjes së obligimeve, parashtrohet pyetja a do të shantazhohemi dhe pengohemi në çdo cep nga ana e Bullgarisë? Ndoshta, si propozim i BE-së, vetë format dhe përmbajtja do të relativizohen me eurokratët, pasi e dimë se atë që e propozon Sofja është diçka irracionale”, tha Nano ruzhin, ish-ambasador.

Ndryshe, propozimi i Francës parasheh që Maqedonia vetë të pranojë ta ndryshojë Kushtetutën, me çka bullgarët do të futen në Preambulë, derisa të ndodhë fillimi efektiv i negociatave me BE për ta hequr veton për konferencën e parë ndërqeveritare. Kjo do të thotë se edhe po të hiqet vetoja, do të ketë vetëm hapje simbolike të negociatave, por nuk do të ketë hapje kapitujsh.

Në propozimin e Presidencës franceze për kornizën negociuese, praktikisht pranohen në gjitha kërkesat e Bullgarisë, përveç kërkesës për mosekzistimin e gjuhës maqedonase. Çështjet që kanë të bëjnë me arsimin dhe historinë barazohen me çështjet që kanë rëndësi thelbësore për BE-në, gjegjësisht kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe sundimin e së drejtës./TV 21/