Dasmorët penguan qarkullimin në Unazën e Madhe, procedohen penalisht dy persona – një tjetër shpallet në kërkim! Policia njofton se do sekuestrojë automjetet me qira

Dy persona janë proceduar penalisht dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi ndaluan automjetet e dekoruara për një ceremoni martesore në Unazën e Madhe, duke bllokuar qarkullimin.

Policia ka nisur kontrolle për identifikimin dhe ndëshkimin e të gjithë të përfshirëve në këtë ngjarje.

Katër automjete të tjera janë në verifikim, ndërsa dyshohet se të gjitha janë marrë me qira. Ngjarja është publikuar në pamje filmike më 24 gusht dhe materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.

Njoftimi i policisë

Penguan qarkullimin në Unazë të Madhe, pasi ndaluan automjetet e destinuara për ceremoni martesore, procedohen penalisht 2 shtetas dhe punohet për shoqërimin e personit të tretë.

Vijojnë kontrolle për kapjen dhe identifikimin e drejtuesve të 4 automjeteve të tjera, të përfshirë në këtë rast

Gjithashtu, punohet për sekuestrimin e automjeteve, të cilat nga verifikimet e deritanishme rezultojnë të marra me qira.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, si rezultat i administrimit të disa pamjeve filmike të publikuara më datë 24.08.2025, në të cilat shfaqeshin disa automjete të dekoruara për ceremoni martesore, të ndaluara në Unazë të Madhe, të cilat kishin penguar qarkullimin në këtë aks, kanë mundësuar identifikimin e disa prej shtetasve të implikuar në këtë paligjshmëri.

Konkretisht, u identifikuan 3 shtetas, E. D., 36 vjeç dhe D. M., 22 vjeçe, për të cilët nisi procedimi penal në gjendje të lirë, dhe Xh. A., 28 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Punohet për kapjen e tij.

Më tej, vijojnë verifikimet dhe kontrollet, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të 4 shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast, si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve të përdorura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia e Shtetit apelon sërisht, për të gjithë qytetarët, që të respektojnë rregullat e qarkullimit në rrugë dhe të mos pengojnë lëvizjen normale të përdoruesve të rrugës, pasi do të përballen me ndëshkimet që parashikon Kodi Penal.


Shtuar 1.09.2025 12:15